Denoncimi i PD: Ja ku gjendet dokumenti i Becchettit që dënon Shqipërinë me 120 milionë euro

24/10/2021 13:48

Deputeti Saimir Korreshi përmes një deklarate është shprehur se të hënën do të depozitohet një kërkesë në Kushtetuese për nisjen e hetimit parlamentar për çështjen “Becchetti”.

Sipas tij qytetarët shqiptarë do t’i paguajnë 120 milionë euro Francesco Bechetit, për shkak të luftës personale që Edi Rama i shpalli këtij sipërmarrësi.

Deputeti ka publikuar dokumentin ku tregohet shumë, i cili sipas tij është sekret apo konfidencial.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, DEPUTETI SAIMIR KORRESHI

Tashmë është botërisht e ditur, që qytetarët shqiptarë do t’i paguajnë 120 milionë euro Francesco Bechetit, për shkak të luftës personale që Edi Rama i shpalli këtij sipërmarrësi.

Vendimi final ICSID, që është një gjykatë arbitrazhi ndërkombëtare e themeluar nga Banka Botërore, është tashmë publik dhe mund të aksesohet nga çdokush që ka akses në internet.

Ky dokument që po shihni, që mund të lexoni nga telefoni apo kompjuteri juaj, është dokumenti që dënon shqiptarët të paguajnë 120 milionë euro për papërgjegjshmërinë e kryeministrit dhe sejmenëve të tij, për të cilin Edi Rama thotë që është sekret apo konfidencial.

Edi Rama gënjen në mënyrë të përsëritur, sepse ai e di që bashkë me sejmenët e tij, nga Erion Veliaj te Ëngjëll Agaci, janë përgjegjësit kryesor të dëmit që i kanë shkaktuar çdo qytetari shqiptar, me gjobën 120 milionë euro, e cila godet të gjithë pa diskriminim, të djathtë, të majtë, fermer apo infermier, inxhiner apo pensionist, të gjithë ne nga më i riu te më i moshuari, do të paguajmë për shpërdorimin që Edi Rama i bëri shtetit shqiptar për të mbyllur një media kritike ndaj tij.

Qytetarët duhet të kenë parasysh se të gjitha këto spërdredhje qesharake janë pasojë e faktit që emrat e Edi Ramës, Erion Veliaj dhe Ëngjëll Agacit, janë të rreshtuar në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, në të cilin thuhet se “vendimet e sekuestrimit ishin kulmi i një fushate politike kundër Bechetit”.

Kjo është edhe arsyeja pse përgjegjësit e dëmit prej 120 milionë eurosh, po pengojnë të drejtën kushtetuese të Partisë Demokratike për të ngritur komisionin hetimor, me pretendimin që vendimi, që tashmë gjendet në internet, na qenkësh TOP SEKRET.

Këto pretendime qesharake nuk do ta ndalin kërkesën tonë legjitime, ndaj ditën e nesërme Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për të mos lejuar opozitën të ushtrojë një përgjegjësi kushtetuese dhe për të hetuar një aferë personale të Edi Ramës që u ka shkaktuar qytetarëve shqiptarë 120  milionë euro dëm.

Ngritja e komisionit hetimor është e pashmangshme, Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që përgjegjësit për këtë aferë 120 milionë euroshe të shkojnë përpara drejtësisë.

Top Channel