Vendimi për Becchettin/ Basha: Rama përdori shtetin në një luftë personale që kushton 120 milionë euro

23/10/2021 13:38

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën është shprehur se demokratët kanë kërkuar ngritjen e tre komisioneve hetimore; një komision hetimor për masakrën zgjedhore, një komision hetimor për inceneratorët dhe një komision hetimor për çështjen Becchetti. Për këtë të fundit, kryedemokrati theksoi se Rama e përdori shtetin në një luftë personale që i kushtoi shqiptarëve 120 milionë euro.

Siç e keni parë, Komisioni Hetimor për Masakrën Zgjedhore është ngritur, dhe pavarësisht përpjekjeve për ta sabotuar atë, vijon dhe ne do ta çojmë deri në fund zbardhjen e asaj që ndodhi me votën e shqiptarëve, me qëllim krijimin e të gjitha kushteve të domosdoshme për të penguar përsëritjen lidhjes të shtetit, krimit dhe oligarkisë si një nyje në fytin e demokracisë shqiptare”, tha Basha.

Në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, Basha tha se ngritja e dy komisioneve të tjera, për inceneratorët dhe Becchettin, po vonohen momentalisht nga pakica në pushtet, me pretekste sa naivie, po aq acaruese për qytetarët që e dinë mirë se çfarë fshihet pas tyre.

Kryedemokrati tha se ata mund ta vonojnë ngritjen e tyre, por nuk e pengojnë dot atë.

E nëse për mafien e inceneratorëve po kërkojnë riformulim të kërkesës tonë, në përpjekje për ta kthyer atë që duhet të jetë një komision hetimor, në një pseudo-grup pune për mjedisin, ndërkohë Rama shantazhoi jo më larg se dje krerët e bashkive për t’i çuar mbetjet te inceneratorët me pronarë offshore, për të furnizuar me paratë e qytetarëve llogaritë bankare në parajsat fiskale”, tha Basha.

Sipas tij, për komisionin Becchetti, Edi Rama u tregua i prerë, duke thënë se duhet ta harrojmë ngritjen e komisionit, sepse vendimi është i “mbuluar nga konfidencialiteti” dhe publikimi dëmton interesat e Shqipërisë.

Basha theksoi se Rama e përdori shtetin për një luftë personale që kushton, 120 milionë euro.

Që Edi Rama gënjen, nuk është lajm, por duke qenë se këtu bëhet fjalë për një dëm prej më shumë se 120 milionë euro, fshehja e tij pas sekretit, është qesharake, sepse vendimi është “fshehur” në hapësirën më sekrete të botës, në internet (tregohet në ekran). Pra, aq konfidencial është ky vendim, saqë unë, ju, qytetarët nga shtëpia, me një kompjuter apo me një smartphone, këtu në Shqipëri apo në Dealer-in e kompanive të tyre offshore apo çdo cep të botës mund të aksesojnë dhe të gjejnë këtë dokument “sekret” që kemi përpara nesh.

Tani, kush e dëmton shtetin shqiptar, ne që kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie për një proces të përfunduar që ka prodhuar një dëm ekonomik që do të tejkalojë 120 milionë euro apo ai që e përdori shtetin për një luftë personale që do t’u kushtojë shqiptarëve më shumë se 120 milionë euro?! Pyetja është retorike. Të dëgjojmë edhe çfarë ka thënë për këtë vendim të arbitrazhit (video ku thotë që nuk do të marrë gjë Becchetti) Ndërkohë që e dinte që vendimi është përfundimtar, madje edhe studiot ligjore që janë paguar me shifra të majme për të mbrojtur Shqipërinë, ia kanë thënë, por ai vazhdon të gënjejë edhe sot, duke prodhuar justifikime të sabotueshme edhe nga një dhjetëvjeçar me telefon në dorë”, tha Basha.

Sipas tij, Rama na thotë se çështja Beçhetti nuk duhet të hetohet, pasi është një çështje konfidenciale dhe cënon interesat e shqiptarëve. Nisur nga kjo, Basha tregoi vendimin për Becchettin, duke treguar linkun ku mund të klikohet.

Ja ku është vendimi për Becchettin, klikohet linku edhe një 6-vjeçar mund ta kuptoj se ky vendim sekret i Edi Ramës është publik në internet. Kaq sekret është që me një smartphone mund të klikoni linkun, i cili përckton qartë se për shkaktë luftës personale të Edi Ramës me Becchettin, shqiptarët duhet të paguajnë 120 milionë euro. E kuptoni, do paguajmë 120 milionë euro sepse e ka kryer ai së bashku me Engjëll Agaçin dhe Erion Veliajn një vepër penale. Shpresa e vetme është të fshehë vendimin që shteti shqiptar duhet të paguajë 120 milionë euro. Buxheti i shtetit përbëhet nga taksat tona. Për shkak të luftës së tij kemi një dëm prej 120 milionë euro”, tha Basha.

Ai theksoi se në kundërshtim me të drejtën kushtetuese, Rama kërkon të pengojë ngritjen e komisionit Hetimor “Becchetti”, me arsyen për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të tij dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore.

Më tej, kryedemokrati pyeti se pse Kryeministri vijon ende të gënjejë me konfidenialitetin e një vendimi që është publik?

Kanë filluar ndërkohë ta paguajnë me taksat që u marrin shqiptarëve. Janë 120 milionë euro të vendit më të varfër në botë. Nuk po shkojnë as për infrastrukturën, as për kopshte apo shkolla, as për ndihmën e familjeve në nevojë, por po shkojnë në xhep të një njeriu të vetëm që quhet Françesko Becchetti. Harroje thotë ndërkohë që 120 milionë euro janë baraz me ndihmën e dhënë ndaj qytetarëve në periudhën e pandemisë. Harrojeni thotë Komisionin Hetimor ndërkohë që këto 120 milionë euro do t’ju hiqen bukës së familjeve shqiptare. Ta harrojnë që do ta harrojmë këtë çështje, sepse kjo mënxyrë duhet zbardhur dhe hetuar, pasi përgjegjësit do të marrin faturën financiare dhe penale të merituar”, tha Basha.

 

 

Top Channel