Deputetët dhe zyrtarët e PD “braktisin” Berishën në Berat. Ish-kryeministri tregon se kur do të mblidhet Kuvendi Kombëtar

22/10/2021 19:05

Data e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike do të përcaktohet javën e ardhshme, me qëllimin për t’i garantuar kësaj force politike vlerat më të larta demokratike.

Lajmi u dha nga ish-kryeministri Sali Berisha në “Foltoren” e tij në Berat, në përgjigje të një militanti, kundrejt pyetjes se kur do të mblidhet Kuvendi Kombëtar. Ish-kryeministri tha se Statuti i Partisë Demokratike përcakton se Kuvendi Kombëtar thirret nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe nga ¼ e delegatëve.

Sipas tij, kjo do të thotë, se nuk ka asnjë lidhje me dy procedurat e para, pasi delegatëve u njihet e drejta pavarësisht, do apo s’do kryetari dhe Këshilli Kombëtar të mbledhin forumin e tyre.

Statuti i Partisë Demokratike përcakton se Kuvendi Kombëtar thirret nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe nga ¼ e delegatëve. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë lidhje me dy procedurat e para dhe delegatëve u njihet e drejta pavarësisht, do apo s’do kryetari dhe Këshilli Kombëtar të mbledhin forumin e tyre. Ndaj dhe ne, ju garantoj që javën që vjen, do të shpallim datën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar dhe do të mblidhemi të sigurtë në të drejtën tonë statutore. Për t’i dhënë Partisë Demokratike normat më demokratike që ajo meriton. Për t’ju dhënë ju të drejtën e referendumit për të përcaktuar ju me referendum jo vetëm kryetarin, por edhe Kryeministrin, pasi nuk do të jetë kusht ai që është kryetar do të jetë edhe kryeministër. Do vijë tek ju dhe pastaj do vendoset”, tha ai.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri komentoi edhe shpalljen non grata nga SHBA-të, për atë personalisht, bashkëshorten dhe dy fëmijët. Berisha tha se një vendim të tillë e konsideroi fillimisht si një çështje private, pasi ishte i bindur se ajo çështje nuk kishte asnjë fakt dhe asnjë provë, sepse ishte një çështje kryekëput politike.

Çështjen non grata doja ta konsideroja si një çështje private, pasi isha i bindur se ajo çështje nuk kishte asnjë fakt dhe asnjë provë, por ajo ishte kryekëput politike. Vendosa ta çoj në gjykatë të nderuarin Sekretar Shteti për shpifje. Jo për të anuluar vendimin. Por e akuzova për shpifje. Për këtë iu drejtova gjykatës në Paris. Nuk kam kërkuar ndihmë tek njeri në botë. Me qindra miq kam. Kam miq më shumë se kudo tjetër në SHBA në të gjitha nivelet. Kam bërë vetëm këtë. Kam shkruar të vërtetën e këtij vendimi dhe kam informuar miqtë e mi se kam shkuar në Gjykatë. Kjo është një hakmarrje primitive e një njeriu, i cili në vlerësimin tim është armik i egër i kombit dhe demokracisë në Shqipëri. Për George Soros unë kam kërkuar që të shpallet non grata dhe po ashtu i kam kërkuar Senatit amerikan që të ndalojë veprimtarinë e këtij njeriu jashtë SHBA-së. Ky është një multimilioner, por Amerika ka disa të tillë dhe imagjinoni sikur këtyre t’u shkelë në mendje dhe t’u sulen demokracive në vende të varfëra, këta i blejnë këto demokraci me gjithë lecka. Ai është një gjeni në financa, në spekulim dhe ata që e pësojnë prej tij janë gjithmonë njerëzit e varfër. Këto para i merr dhe bën gjoja filantropi. Në fakt ai është një shushunjë dhe nuk kam asnjë keqardhje për të”, tha ish-kryeminstri.

Në Berat të premten pasdite Berisha u prit nga një grup demokratësh me ovacione të mëdha, por ajo çfarë ra në sy më tepër, ishte mungesa e drejtuesve dhe deputetëve të Partisë Demokratike në këtë qark.

Në foltoren e Sali Berishës munguan edhe dy deputetët Tomor Alizoti dhe Kasëm Mahmutaj.

Kujtojmë që Tomor Alizoti ishte edhe drejtuesi politik i demokratëve në qarkun e Beratit në zgjedhjet e 25 prillit. Duket se Alizoti dhe Mahmutaj nuk janë pozicionuar pro nismës së ish-kryeministrit Sali Berisha, që nisi turin e foltoreve pas pezullimit nga Grupi Parlamentar i PD.

Në krah të ish-kryeministrit Berisha ishte Genc Pollo dhe si gjithmonë figurat që e kanë shoqëruar në disa prej foltoreve, Bujar Nishani, Flamur Noka, Klevis Balliu, Astrit Veliaj etj. Këta të fundit kanë shprehur hapur mbështetjen për Berishën që në fillim të lëvizjes së tij.

Top Channel