Vettingu i politikanëve/ Videomesazhi i Bashës: Kushdo që e meriton duhet të largohet nga politika! Çdo ndodhë me Berishën?

20/10/2021 18:58

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në konferencën për media që mbajti ditën e sotme, ka thënë se çdo alibi kundër vettingut të politikanëve nxjerr zbuluar qëllimin e llumit të tranzicionit për ta mbajtur Shqipërinë peng.

Basha ka theksuar se këto propozime kushtetuese i mbyllim derën tranzicionit dhe kushdo që e meriton të largohet nga politika, duhet të largohet nga politika.

Por në videomesazhin që ka publikuar Basha askush nuk e përmend ish-kryeministrin Sali Berisha, megjithëse dyshohet që nisma e vettingut të politikanëve bëhet edhe për të, pasi është i shpallur ‘non grata’ nga SHBA nën akuzën e korrupsionit.

“I lind detyrimi që të dalin haptas para shqiptarëve duke pranuar këto propozime kushtetuese bashkërisht i mbyllim derën tranzicionit me vetëdijen më të plotë dhe qetësinë më të madhe se kushdo që meriton që përmes këtyre masave të largohet nga politika, duhet të largohet nga politika. S’ka rëndësi është socialist, demokrat, apo ndonjë partie tjetër.

Çdo alibi vetëm sa nxjerr zbuluar qëllimin e llumit të tranzicionit për ta mbajtur Shqipërinë peng. Peng të një klase politike të ndryshkur, të majmur, të zvetënuar, të dalë nga vetja dhe të shkëputur nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve.

Ne refuzojmë të jemi pjesë e asaj klase politike.

Ky ka qenë lajtmotivi i gjithë qëndrimeve tona për dy vite.

Ndryshimi ka qenë kryefjala e fushatës tonë zgjedhore. Nuk ka masakër zgjedhore të na heqë ne nga misioni i ndryshimit.

Ndryshimi do të bëhet me çdo kosto”, thotë Basha në videomesazhin e tij.

Top Channel