Progres-raporti i KE/ Rama: Në Evropë tani nuk ka oreks për zgjerim, por s’do t’i ndalojmë përpjekjet tona

20/10/2021 09:32

Kryeministri Edi Rama tha se Evropa nuk ka në plan të zgjerohet duke theksuar se Shqipëria nuk do t’i ndalojë përpjekjet për të bërë progres, gjatë konferencës me ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca për progres-raportin e KE-së.

Ai ka përsëritur se raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit dhe të përputhjes me standardet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR.

“Dua të them se së pari raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit dhe të përputhjes me standardet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ka ecur me reformat e shtetrrethimit dhe të konsolidimit të proceseve demokratike. Reforma në administratën publike përsëri referohet si një proces që përparon, ashtu edhe për luftën kundër krimit të organizuar. Të drejtat e njeriut rikonfirmohen si vlera më e madhe. Barazia gjinore vlerësohet”, tha Rama.

Rama sërish ka përsëritur se disa prej vendeve të Bashkimit Evropian nuk duan që Shqipëria t’u bashkohet, ndërsa tha se Shqipëria nuk është një vend që mund të bëhet sot anëtare pasi ka ende shumë punë.

“Përpjekjet tona për ta përafruar kuadrin legjislativ me BE-në vihen re dhe vlerësohen. Progresi për një ekonomi funksionale tregu është evident. Këto janë disa nga pikat kyçe. Raporti i Progresit nuk është thjesht një dokument që bën vlerësime pozitive por edhe që nxjerr në pah sfidat dhe problemet që duhen adresuar. Përtej progresit që ka bërë, nuk është një vend që mund të bëhet sot anëtare edhe sikur të donin të tjerët që nuk e duan se Evropa për tani nuk ka oreks për zgjerimin. Në mbyllje dua të them që ne nuk do të ndalojmë me përpjekjet tona në bazë nëse hapen po jo negociatat.  Ne e bëjmë për fëmijët tanë që të jetojnë në një vend me të njëjtën cilësi si në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Top Channel