Kur pritej që në këtë laborator të kishte nisur ekspertiza për ujin e pishinës dimërore pranë të cilës u gjet i vdekur Sergei, Natalia, Ekaterina dhe Nikita, veprimet hetimore në këtë pikë janë në vendqëndro.
Megjithëse policia dhe prokuroria e Kavajës deklarojnë se dërguan mostra uji dhe ajri, kryesisht për këtë të fundit as që është kryer ekspertizë që duhej realizuar brenda mbrëmjes së të premtes dhe as që janë kërkuar për ndihmë në atë moment ekspertë të shëndetit publik.
Arben Luzati: Një kërkesë ka qenë vetëm për klorin dhe ujin. Sot do të vijë kërkesa tjetër.
Grupi i hetimit që po investigon vdekjen misterioze të katër turistëve rusë ka këqyrur dhe dërguar në mënyrën e gabuar pranë ISHP mostrat e pishinës pranë të cilës u gjetën të pajetë trupat e katër qytetarëve rusë. Për këtë arsye, ISHP e ka kthyer pas dhe ka kërkuar t’i dorëzohet në formën e duhur nga ligji.
Gjatë intervistës për Top Channel, profesori Arben Luzati deklaroi se këto mostra duhet të ishin marrë nga specialistët.
Arben Luzati: Dhe mostra do të merret sipas kësaj rregullore dhe sipas këtij standardi. Për të qenë transparentë, oficerët e policisë gjyqësore kishin sjellë mostrën jo sipas kërkesave të rregullores. Kishin marrë mostrat vetë, kjo mënyrë duhet të rregullohet njëherë e mirë dhe të ndahen detyrat e secilit.
Teksa këtë javë mbushet një javë nga vdekja e mistershme për të cilën ka disa versione ndërkohë që policia e ka referuar për akuzën e vrasjes, ISHP pret t’i vendoset në dispozicion uji i pishinës dhe menjëherë pas kësaj të japë një përgjigje.
Arben Luzati: Në rastin konkret është përdorur klori pluhur dhe mostrat duhet të merren në mënyrë të vecantë.
Por a ndodh vdekja nga helmimi i klorit?
Arben Luzati: Irritime, vështirësi, Kur ka klor të tepër japin, por deri në vdekje nuk kam dëgjuar. Flasim për pishina të mbyllura.
Grupi i hetimit ka dërguar gabimisht edhe disa mbetje ushqimore pranë ISHP që janë kthyer pas dhe janë dërguar për ekspertim pranë AKU.
Arben Luzati: Për analizat e ushqimeve ka një vit që ka dalë një rregullore e re.
Të gjitha këto veprime ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën si është administruar vendngjarja dhe a kanë apo jo kapacitete institucionet shqiptare për të kthyer përgjigje shkencore dhe të pakontestueshme mbi vdekjen e rusëve që u gjetën të vdekur nga recepsionistja gati një orë pasi kishin hyrë në pishinën dhe xhakuzin e rezortit në Qerret.
Top Channel