Tensionet u fashitën, por nuk u zhdukën në Malin e Zi ku qindra vetë protestuan para qeverisë në Podgoricë kundër dhunës policore dhe vendimit të autoriteteve për të regjistruar Manastirin e Cetinës si pronë të Kishës Ortodokse Serbe.
Organizatorët e protestës thanë se zëvendës kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, do t’i dorëzohen dëshmitë për dhunën e ushtruar nga policia e shtetit me 5 shtator, gjatë shugurimit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Veprimtari për të drejtat e njeriut, Aleksandar Sasha Zekoviç, tha se policia ka përdorur dhe po përdorë në mënyrë të paligjshme mjete të dhunës kundër qytetarëve që janë vënë në mbrojtje të identitetit të tyre malazez.
Duke kundërshtuar vendimin për regjistrimin e Manastirit të Cetinës si pronë të Kishës Ortodokse Serbe, Zekoviç i cituar nga VOA, tha se ai manastir ka jo vetëm rëndësi fetare, por edhe shtet ndërtuese dhe është simbol i trashëgimisë kulturore për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.
“Ne po u themi atyre që do të formojnë ose mbështesin qeverinë e re se vendimi i Administratës së Kadastrës dhe Pronës Shtetërore duhet të tërhiqet menjëherë. Një qeveri që bëhet kërcënim për të drejtat e njeriu, është e dënuar”, u shpreh ai.
Protestuesit brohorisnin “Kjo nuk është Serbi”, “Tradhtarët poshtë”, “Malazezët nuk i duan zinxhirët” etj, ndërsa ndezën pishtarë dhe kënduan himnin malazez.
Top Channel