Progres-raporti i KE për Shqipërinë: Të hapen negociatat, vendi ka shënuar rezultate të prekshme në reforma

19/10/2021 15:32

Komisioni Europian, në progres-raportin e tij, ka rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë, me arsyetimin se vendi i ka plotësuar kushtet.

Raporti vlerëson progresin e bërë me Reformën në Drejtësi, por edhe me reformat gjithëpërfshirëse në vend. Sipas tij, shtyrja e procesit të integrimit në BE ka krijuar një impakt negativ.

Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën tërësore në drejtësi, që ka çuar në përparim të mirë. Një moment i rëndësishëm ishte emërimi në fund të vitit 2020 i 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”, theksohet në raport.

Në të veçohet se Gjykata Kushtetuese po punon me 7 anëtarë dhe duhet bërë plotësisht funksionale, ndërsa Gjykata e Lartë po punon me 9 anëtarë, dhe duhet plotësuar.

Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke shqyrtuar 437 raste prej tyre. 62 për qind e rasteve rezultuan me shkarkime ose me dorëheqje”,  thuhet në raport.

Strukturat e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve u plotësuan me hetues dhe pritet që kjo të përmbyllet para fundit të vitit, vëren raporti.

Shqipëria ka tashmë një nivel përgatitje dhe ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët e prokurorët e larguar nga procesi i vettingut. Por numri i çështjeve për korrupsion që të përfshijnë zyrtarë të lartë ende mbetet i kufizuar, ndërsa vazhdon kultura e mosndëshkimit në nivelet e larta të shtetit” , theksohet në raport.

Sipas tij, SPAK dhe Gjykata për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ngrejnë më lart aftësitë e tyre hetimore në ndjekjen e korrupsionit, ‘i cili mbetet një shqetësim serioz, sepse mbizotëron në shumë fusha të jetës publike e private”.

Në luftën ndaj krimit të organizuar vlerësohet se janë bërë përgatitje në fushën e ligjeve dhe bashkëpunimit me Europol sa i takon pastrimit të parave, organizatave kriminale dhe trafikimit të drogave.

Në përgjithsësi, korrupsioni mbizotëron në pjesën më të madhe të jetës publike dhe asaj të biznesit dhe mbetet një nga shqetësimet më serioze.

Shqetësimet tjera lidhen me keqpërdorimin e resurseve publike apo funksioneve zyrtare, me pretendimet për shit-blerje votash, si dhe me rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme që përfshinin preferencat politike të qytetarëve.

Në raport ka edhe kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Tensionet ndërmjet aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në raport.

KE-ja po ashtu vë në pah se numri i azilkërkuesve në BE nga Shqipëria ka rënë për 66 për qind më 2020 krahasuar me vitin 2019, përkatësisht nga 20,415 në 6,935 azilkërkues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA