Lufta mes UEFA-s dhe FIFA-s për Botërorin çdo dy vjet, rezultatet e studimit shokuese

19/10/2021 22:42

UEFA me argumente konkrete për pasojat që do të ketë zhvillimi i Botërorit çdo dy vjet. Një studim i pavarur, i porositur nga qeveria e futbollit europian ka nxjerrë përfundime shokuese për atë që do të ndodhë nga ndryshimi i mundshëm i kalendarit ndërkombëtar të futbollit, që FIFA do të hedhë në tryezën e Këshillit, të mërkurën, më 20 tetor.

Për UEFA -n, ideja e Infantinos për një Kupë Bote çdo dy vjet rrezikon të ketë një impakt tepër negativ sa u përket të ardhurave.

Presidentët e 55 federatave të UEFA –s u njohën me përfundimet e këtij studimi të kryer nga agjencia angleze “Oliver dhe Ohlbaum”, që tregojnë për humbje prej 3 miliardë eurosh në katër vjet. Wenger, kreu i FIFA-s për zhvillimin e futbollit, ndërkohë flet për ndeshje interesante dhe një kalendar efikas.

Kampionati Europian dhe garat e tjera ndërkombëtare të organizuara nga Konfederatat Kontinentale gjithashtu do të zhvilloheshin çdo dy vjet. Qëllimi është reduktimi i udhëtimeve, por e gjitha kjo mund të çojë në rënien e të ardhurave nga të drejtat televizive dhe marketingut, duke grumbulluar ndeshjet e duke vënë në dyshim, për shembull, turnetë e tjerë siç është Liga e Kombeve.

Në rastin e vetëm një periudhe për ndeshjet kualifikuese, skuadrat e panjohura do të gjendeshin pa një ndeshje ndërkombëtare për gjashtë muaj, gjë që mund të paraqiste probleme sportive. Futbollistët mund të gjenden duke luajtur për vite të tëra pa ndërprerje, Europianin dhe Kupën e Botës.

UEFA vlerëson se Europiani dhe Kupa e Botës për femra do të humbnin shikueshmërinë.

Studimi i agjencisë angleze “Oliver dhe Ohlbaum” analizon vetëm pasojat ndryshimit të kalendarit ndërkombëtar për shoqatat anëtare kombëtare të UEFA-s. Por autoriteti pret një “efekt domino” për ligat dhe kampionatet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA