Zgjedhjet në Kosovë, Adri Nurellari: Shpërthim i “tullumbaces” së Vetëvendosjes, dështuan

18/10/2021 21:50

Mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Open’ po flitet për zgjedhjet lokale në Kosovë dhe për rënien e Vetëvendosjes pasi nuk ka fituar asnjë komunë në raundin e parë.

Analisti Adri Nurellari u shpreh se Vetëvendosja ka përgjysmuar votat e saj brenda 8 muajsh dhe u ndëshkuar për shkak të keq qeverisjes.

Analisti ‘vë gishtin’ tek Kryeministrin Kurti, për të cilin shprehet se nuk ka bërë asgjë konkrete dhe ka dështuar në nivelin e trajtimit të krizave të mëdha, duke përmendur dialogun me Serbinë, situatën në Veri dhe menaxhimin e pandemisë.

Nurellari: Kjo është një shpërthim i tullumbaces populist të Vetëvendosjes që brenda 8 muajsh përgjysmoi votat e saj dhe u ndëshkua qoftë për pritshmëritë e pa realizuar në qeverisje, e paaftë dhe pa ndonjë projekt konkret, dhe qoftë edhe për keq qeverisjen lokale. Duhet vënë në dukje se Vetëvendosja zanafillën e rritjes e ka pasur në 2017 duke marrë për herë të parë komuna, mori Mitrovicën, Prishtinën, Kamenicën dhe Prizrenin. Zanafilla e rritjes po shërben në tatëpjetën e Vetëvendosjes.
Komunat ku kanë qeverisur në të kaluarën janë në balotazh dhe kanë një renie solide. Në Mitrovicë e kanë humbur që në raundin e parë me një rezultat të lartë. Nuk është vetëm një ndëshkim ndaj qeverisjes zhgënjyese parlamentare për herë të dytë të Kurtit por edhe qeverisjes së keqe në raund lokal nga kryetarët e komunave të Vetëvendosjes, nga skandale të ndryshme.
Zakonisht dihet që 6 muajt e para vendosin, është buxheti i parë ai që vendos projektet e mëdha. Kurti është marrë gjithë kohës me spastrime, emërime dhe shkarkime por s’ka bërë asgjë konkrete, madje edhe projektet ekzistuese i ka lënë në mes. Dështime, në nivelin e trajtimit të krizave të mëdha, qoftë dialogu, qoftë Veriu, qoftë pandemia, që Kosova ka qenë e fundit për vaksinat. Kjo nuk është vetëm çështje e Kurtit, por edhe e opozitës.

Top Channel