Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore të së dielës në Kosovë, treguan se në 21 nga 38 komunat e vendit do të ketë një raund të dytë votimesh, duke qenë se asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur në raundin e parë.

Edhe pse Fitore Pacolli nga Vetëvendosja, u shpreh e bindur se kjo lëvizje do të triumfojë në qytetet e mëdha, ajo ende nuk ka fituar asnjë komunë ndërsa në 12 prej tyre shkon në balotazh.

Përvojat në zgjedhjet e kaluara lokale, kanë treguar që partitë që udhëheqin nivelin qendror të pushtetit, e transmetojnë pushtetin e tyre edhe në nivelin lokal, por një praktikë e tillë nuk ndodhi edhe në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë”, thotë njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri për REL.

Sipas tij, rezultatet paraprake janë “një zgjim brutal nga realiteti” përballë fitores që Lëvizja Vetëvendosje arriti në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ku siguroi mbi 50 për qind të votave.

Për ekspertin, e gjithë kjo është pasojë e mungesës së investimeve në burime njerëzore dhe kandidaturat për kryetarë të komunave.

Ka pasur një shkëputje të madhe në mes të zhvillimeve dinamike brenda komunave dhe kandidaturave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe për këtë arsye ka ndikuar, që partia e cila dominon skenën politike në Kuvend dhe Qeveri, të mos e ketë rezultatin e pritur” tha Muhaxhiri.

Ai shtoi se partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deri më tani kanë arritur suksese më të mëdha se Lëvizja Vetëvendosje.

Muhaxhiri vlerëson se në komunat ku garat do të zhvillohen me balotazh, të tria këto parti, me shumë gjasë do të bashkëpunojnë përballë Lëvizjes Vetëvendosje.

Top Channel