Debatet/ Deputetët e PD: E vendos anëtarësia nëse do të kthehet ‘Berishizmi’, Basha: Nuk hedh në votim asnjë vendim të qeverisë amerikane

18/10/2021 19:43

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, pati debate mes deputetëve për raportin e Lulzim Bashës me ish kryeministrit Sali Berisha.

Albana Vokshi e tha qartë se nuk është dakord që të diskutohet për “Berishizmin” duke shtuar se faktin nëse duhet të kthehet ose jo e vendos anëtarësia. Ndërsa Grida Duma dhe Flutura Acka janë për ndryshimin e PD.

Ndërsa Lulzim Basha ka përjashtuar çdo mundësi për mbledhjen e Kuvendit duke thënë se nuk do të hedhë në votim vendime të qeverisë amerikane. Kreu i PD theksoi se një gjë e tillë do i sillte “vdekjen” Partisë Demokratike.

Luan Baçi: Ne deputetët që kemi marrë pjesë në foltoret e Berishës, po shihemi ndryshe nga PD e po ashtu s’po marrim pjesë në komisionet hetimore parlamentare.

Grida Duma: Edhe pse të kam mik dhe do të të kem, unë nuk mendoj se duke sharë njëri-tjetrin ne do të bashkohemi.

Flutura Açka: Unë shkoj në takime në Elbasan, dhe më pyesin: Je me Berishën apo Bashën”? Kjo është e pafalshme. Duhet t’i bëjmë një pyetje vetes të gjithë. A i shërben PD Berishizmi? Unë mendoj se PD duhet t’i kthehet ndryshimit.

Albana Vokshi: Nuk jam dakord që këtu të  diskutohet për Berishizmin nëse duhet të kthehet apo jo, sepse këtë gjë e vendos anëtarësia.

Spaho: Amendamentet për ndryshimet kushtetuese s’mund të vijnë vetëm për firmë, pa u diskutuar. Këtu duhet të vendosë Grupi Parlamentar dhe Këshilli Kombëtar.

Bardhi: Këtu ka një grup juristësh që kanë përgatitur materialin. Janë përgatitur nga juristët e PD-së dhe do të diskutohen edhe në Komisionin e Ligjeve. Grupi parlamentar vendos politikisht ndërsa juristët vendosin teknikisht dhe profesionalisht. Kështu na i ke sjellë edhe ti këto materiale, vetëm për firmë.

Spaho: Kam bërë shumë gabim që i kam sjellë kështu.

Lulzim Basha: Nuk e kam parë të arsyeshme të reagoj kundër spekulimeve,  gënjeshtareve e shpifjeve të  ulta  ndaj meje me të cilat po bombardohet prej disa javësh anëtarësia e partisë demokratike  dhe opinioni publik. E kam përjashtua dhe vazhdoj ta  përjashtoj nga agjenda ime investimin e kohës dhe energjive  në   shfaqje publike me “me the, i thashë, e me tha” brenda llojit, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndryshojnë natyrën e përballjes politike në Shqipërinë e sotme të njëmijë e një problemeve dhe halleve që kanë qytetarët e thjeshtë: nga përballje të  opozitës me qeverinë e shdërrojnë në hidh e prit të ish kryetarit historik Sali Berisha me kryetarin e rizgjedhur vetëm para kater muaj me parimin një anëtar një votë, që jam unë.

Ketë  kënaqësi apo dhuratë,  Edi Rama me bandat e tij nuk do ta ketë kurrë nga unë.

Unë e refuzoj arenën ku më ftojnë spekulimet dhe shpifjet e ricikluara të listës tetëvjeçare apo 16 vjeçare të kundërshtarëve të mi politikë në partinë socialiste, që sot  i recitojnë të zemëruarit  dhe të keqkuptuarit me vendimin  tim për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së me kërkesën  e SHBA për shkak të shpalljes së tij non grata prej tyre.  

E kam shpjeguar  kontekstin dhe barrën e këtij akti ditën që e  shpalla.

Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të Partisë Demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur  të jem unë i godituri i këtyre vendimeve.

Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i  Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA.

Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve për rrotacionin e pushtetit dhe normalizmin e demokracisë në vend.  

Orjentimi perëndimor, proamerikan, euroatlantik e proeuropian janë për Partinë Demokratike me shumë se përcaktime ne statutin dhe dokumentet e saj. Janë identiteti i saj, kanë lindur në një orë me të, janë e do të jenë ADN-ja e saj.  

Vota e anëtarësisë  së Partisë Denmokratike me obligon mua, forumet, të zgjedhurit dhe gjithë anëtarët e PD-së të qëndrojmë në këtë orientim, ta mbrojmë atë.Po lëshuam këtë busull nuk jemi më Partia Demokratike.

Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen non grata të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për transparencë e drejtësi.

Për fat te keq ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij non grata me fatin e Partisë Demokratike.

Në një anë ai po  thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverise amerikane për shpalljen e tij non grata. Nga ana tjetër po  kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës  që është marrë në respekt të vendimit të SHBA.  

A nuk nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD?

Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij. 

Kjo është pa asnjë perspektivë qoftë për PD, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë.

Top Channel