Basha: Vetting politikanëve/ PD ka tre kërkesa, edhe reformë zgjedhore dhe territoriale

18/10/2021 19:33

Vettingu i drejtësisë në këmbim të ndryshimeve kushtetuese të cilat prekin reformën zgjedhore, ndarjen territoriale dhe reformën ne drejtësi.

Ishte kjo kundër oferta e Lulzim Bashës për ftesën e socialisteve për shterjen e afateve te organeve te vettingut me dy vite.

Lulzim Basha nuk flet për pazar, por për ndryshimet kushtetuese që Partia Demokratike propozon duhen 94 vota, të cilat kërkojnë zemërgjerësinë e Partisë Socialiste.

“Këto tre çështje janë përkthyer në një draft amendamentesh, vendimi i grupit parlamentar është që të ecet përpara me depozitimin e tyre dhe do të bëhet kështu në ditët e ardhshme”, shprehet Basha.

Demokratët nxjerrin nga sirtarët propozimin që Venecia iu rrëzoi në 2018 për vettingun e Politikanëve. Këtë herë janë të bindur se kërkesa e tyre do marrë dritën jeshile pasi janë reflektuar vërejtjen e Komisionit.

“Në mënyrë që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së posaçme anit-korrupsion, që të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreut të shtetit, krerëve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura në raport me lidhje të papërshtatshme , pra me krimin e organizuar, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre, familjarët e tyre dhe ortaket e tyre”, u shpreh Basha.

Por a prek vettingu i politikaneve edhe personat e shpallur non grata?

“Vettingu i politikanëve do të thotë pastrimi i politikës, nga personat që kanë lidhje me krimin e organizuar apo janë të korruptuar”, u shpreh kryedemokrati.

Demokratët duan një hartë te re territoriale qe parashikon me shumë se 61 Bashki. Lulzim Basha ka mbështetur publikisht një variant me 100 bashki.

“Per të rikthyer shërbimet e munguara dhe të shkatërruara nga një reformë që tashmë jo vetëm shqiptarët anë e mbanë vendit, por edhe institucionet ndërkombëtare, nga Këshilli i Evropës tek Bashkimi Evropian e konsiderojnë të dështuar”.

Partia Demokratike synon edhe zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut si dhe ngritjen e një komisioni parlamentar me qëllim ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Top Channel