Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ka nisur me probleme teknike, që kanë të bëjnë me aparatet biometrike për votim. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se në shumë vendvotime aparatet ose nuk kanë mund të vihen në përdorim ose votuesit nuk kanë mundur të identifikohen.

“Me kalimin e kohës, gjendja me aparatet po përmirësohet dhe tani janë një numër i vogël i vendvotimeve ku kemi ende probleme”, ka deklaruar Dashtevski duke bërë të ditur se votimi në këro vendvotime do të zgjasë edhe pas orës 19:00, për aq kohë sa kishte ndërprerje, por jo më shumë se tre orë.

Kryetari i KSHZ-së, ka publikuar daljen në votime deri në orën 09.00 për vetëm 1,325 vendvotime nga 3,480 sa janë gjithsej. Sipas tij, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 3.28 për qind e votuesve.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të dielën u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet e kryetarëve të 80 komunave dhe të këshillave komunalë, si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Të drejtë vote, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, (KSHZ) kanë 1,824.864 qytetarë, të cilët për herë të parë votojnë me sistemin e ri biometrik – identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.

Qytetarët votojnë me protokolle shëndetësore për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi janë kriteret kryesore për realizimin e procesit votues.

Top Channel