Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj të pushtetit lokal.

Në orën e para të votimit janë shfaqur probleme teknike, që kanë të bëjnë me aparatet biometrike për votim.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se në shumë vendvotime aparatet ose nuk kanë mund të vihen në përdorim ose votuesit nuk kanë mundur të identifikohen.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, janë duke shprehur vullnetin e tyre për të zgjedhur kryetarëve të 80 komunave dhe të këshillave komunalë, si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Të drejtë vote, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kanë mbi 1.9 milion qytetarë, të cilët për herë të parë votojnë me sistemin e ri biometrik – identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.

Në garë janë 10.653 kandidatë të partive politike,koalicioneve dhe kandidatë të pavarur.

Policia e Maqedonisë së Veriut thotë se janë arrestuar 4 persona të dyshuar për blerje votash në lagjen Dracevë të Shkupit.

Personave të arrestuar iu konfiskuan 2000 euro.

Votimi zhvillohet duke respektuar protokolle shëndetësore për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit.
Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi janë kriteret kryesore për realizimin e procesit votues.

Top Channel