Të gjitha vendvotimet për Zgjedhjet Lokale janë hapur me kohë në ora 7.
Kështu ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencën e parë të zhvilluar për sot.
“Numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime”, ka thënë Elezi.
Këto zgjedhje për Kryetarë të Komunave janë të pestat me radhë ndërsa për Kuvende Komunave të shtatat.
“Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetar Komune dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale” ka thënë Elezi.
Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës, dhe të dalin për të votuar.
“Gjithashtu, në këtë orë të parë të fillimit të procesit të votimit, njoftojmë të gjithë votuesit se në ueb faqen e KQZ-së, kqz-ks.org, është duke vazhduar të funksionojë aplikacioni përmes së cilit çdo qytetar mund ta mësojë vendvotimin e tij të saktë”është shprehur ai.
Lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 11:30; 15:30 dhe 19:30, ndërsa për konferencën e pestë, lidhur me publikimin e rezultateve prelimanre, do t’iu njoftojmë me kohë.
Top Channel