Ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Diana Hërkaloviç, ka përfunduar në pranga pasi zyra e Prokurorit për Krimin e Organizuar kërkoi paraburgimin e saj, tha kjo zyrë për Radion Evropa e Lirë.

Prokuroria deklaroi se kundër saj u ngritën kallëzime penale për abuzim me detyrën. Diana Hërkaloviç u emërua në pozitën e Sekretares së Shtetit në Ministrinë e Brendshme në vitin 2017.

Në atë kohë, funksioni i ministrit mbahej nga Nebojsha Stefanoviç -ministri aktual i Mbrojtjes në Serbi.

Hërkaloviç përshkruhej si bashkëpunëtorja e tij më e afërt. Majin e 2019-ës, ajo dha dorëheqjen pa asnjë shpjegim. Emri i saj u përmend përsëri në media në janar të këtij viti kur u raportua se ishte një nga personat që është marrë në pyetje për çështjen e përgjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Më herët, tabloidet pro-qeveritare e kishin lakuar emrin e saj për lidhje të supozuara me një klan kriminal. Zyra e Prokurorit për krim të organizuar në Beograd ka akuzuar Veljko Bellivukun dhe grupin e tij në një rast të profilit të lartë dhe sipas shtypit vendas, Hërkaloviç është marrë në pyetje pikërisht për lidhjet e saj me Bellivukun.

Ky i fundit dhe disa anëtarë të grupit të tij pretendohet se gjatë seancës gjyqësore deklaruan se Presidenti Vuçiç dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë kërkuar Bellivukut më shumë shërbime, të cilat përfshinin kontrollin e huliganëve të futbollit dhe protestave antiqeveritare.

Top Channel