Caktimi i diplomatit, Christoher Hill si ambasador të ri amerikan në Serbi, është një sinjal se presidenti amerikan, Joe Biden, po dërgon në këtë vend një njeri të besueshëm, thote për REL ish-ambasadori i Serbisë në Uashington, Ivan Vujaçic.

Hill është njohës i mirë i rajonit, pasi ka qenë zëvendës i Richard Holbrookut, negociatorit kryesor amerikan gjatë bisedimeve në Dejton, të cilat i dhanë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitet 1990.

Pas nominimit nga Biden, konfirmimi duhet të bëhet nga ana e Senatit. Nëse e merr këtë konfirmim, Hill do ta zëvendësojë Anthony Godfreyn, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në Beograd që nga nëntori i vitit 2019.

Vujaçiç shprehet se kreu i Shtëpisë së Bardhë mund të ketë vendosur që të emërojë në poste diplomatike njerëz me të cilët ka bashkëpunuar teksa kryente funksionin e kreut të Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Hill, ekspert shumë i mirë për çështjet rajonale në Ballkanin Perëndimor, ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara edhe në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Majin e 1998, Sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e emëroi të dërguar për Kosovën, dhe gjatë ushtrimit të këtij funksioni ai pati shumë takime me udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë të Kosovës.

Ish-ministri i Jashtëm i Jugosllavisë Vlladisllav Jovanovic pati deklaruar dikur për televizionin serb Prva se Hill ka aftësi diplomatike, por edhe një “grusht të fortë”.

Top Channel