Partia Demokratike ka depozituar në SPAK padinë për keqpërdorim të energjisë elektrike kundër tre drejtuesve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH) dhe Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL).
Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj, nënkryetarë të Partisë Demokratike, thanë se kjo padi u bë kundër abuzuesve të pushtetit dhe shpërdoruesve të parasë publike.
Në fjalën e saj, Tabaku tha se qytetarët shqiptarë po vuajnë krizën e korrupsionit dhe menaxhimit.
“Duke pritur që SPAK-u dhe drejtësia e re të vepronte në 10 ditët e fundit, PD bëri thirrje pothuajse të përditshme, dje ishte hera e fundit për situatën në sektorin energjetik. Sot ne depozituam një kallëzim për 3 drejtuesit e 3 enteve publike, zotin Adrian Çela, zotin Ergys Verdha, zonjën Erina Rexhepi, të tre përgjegjës për krizën e korrupsionit për krizën e menaxhimit dhe për krizën që do të përjetojnë qytetarët shqiptarë në ditët e ardhme si rezultat i veprimeve korruptive të këtyre individëve nëse sektorin energjetik”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se qeveria shqiptare nëpërmjet këtyre tre institucioneve, shiti energjinë me rreth 60 euro kilovator ndërkohë që e bleu pak javë më parë me 240 deri në 260. Edhe më lart se tregu.
“Ne kemi sjellë një shembull këtu që u vendos në dispozicion në fakt nga media i cili dëmi ekonomik është 10 milionë euro vetëm për një nga lotët. Vetëm për një nga tendërat është 10 milionë euro”, deklaroi ajo.
Sipas saj, bëhet fjalë për të gjithë periudhën, nëse do të ishte përdorur ajo sasi energjie që prodhohet këtu në Shqipëri nga prodhimet tona hidrore do të kishim kursyer buxhetit të shtetit për të gjithë periudhën që po flasim 150 milionë euro.
Nga ana tjetër, nënkryetari Alibeaj tha se është një kallëzim, i cili siç e tha zonja Tabaku, i drejtohet tre drejtuesve të lartë administrativ, të cilët sot kanë në dorë energjinë e shqiptarëve, Adrian Çela, drejtor i OSHEE Grup, Ergys Verdho Administrator i Korporatës Energjitike Shqiptare KESH, Erina Rexhepi me detyrë administrator i furnizuesit të tregut të lirë.
Alibeaj tha se ata janë kallëzuar për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, moskallëzim krimi, të gjitha këto të kryera nën formën e grupit të strukturuar kriminal.
“Krizën e rëndë ekonomike prej korrupsionit nuk ka të madh dhe të vogël që nuk e di dhe nuk e ndjen në familjet e tyre dhe në këtë aspekt do të mjaftonte vetëm ajo se çfarë publikisht është thënë, pranuar që nga i pari i qeverisë që kjo zyrë, këta prokurorë sipas detyrimeve imperativë të reformës në drejtësi dhe të ligjit përkatës për SPAK-ut të vepronin në mënyrë energjike, me iniciativë siç thuhet. Pra kryesisht nuk e kanë bërë”, deklaroi ai.
Top Channel