Në mesin e trazirave të kësaj periudhe në veriun e saj, Prishtina i ofron Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.

Propozimi, që vjen në emër të qeverisë, u bë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, i cili zhvilloi në Pentagon një takim me zv/sekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl.

Njoftimi për shtyp i lëshuar me këtë rast tregon se ministri Mehaj argumentoi që krijimi i një baze të tillë do t’i kontribuonte “shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”, thotë REL.

Kampi më i madh ushtarak që kanë Shtetet e Bashkuara në Kosovë është ai i Bondsteel në Ferizaj. Zv/sekretari Kahl, sipas njoftimit ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike, “duke theksuar se vizioni i presidentit amerikan, Joe Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën parësore”.

Mehaj dhe Kahl kanë diskutuar gjithashtu dhe çështjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku zyrtari i lartë amerikan ka premtuar se përkrahja e shtetit të tij për FSK-në do të jetë e vazhdueshme.

 

Top Channel