I kapën 49 kg kokainë në kontejnerin me banane/ Apeli i GJKKO liron nga qelia Selim Çekajn, babain e Arbër Çekajt

15/10/2021 15:33

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar këtë të premte ka ndryshuar masën e sigurisë, duke vendosur “arrest shtëpie” për 72-vjeçarin Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt.

Gjykata e Posaçme, më herët, la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Çekajn, dhënë më parë edhe nga Gjykata e Durrësit.

Gjatë zhvillimit të seancës SPAK pati kërkuar në atë kohë zbutje të masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë përfshirjen e tij në çështjet e trafikut të drogës.

Një tjetër argument i përdorur nga organi i akuzës ishte fakti se i dyshuari është në moshë të thyer dhe kishte probleme shëndetësore.

Selim Çekaj u arrestua më 1 Prill të këtij viti pasi në kontejnerin me banane që ishte porositur nga Ekuadori për llogari të kompanisë së tij Ecoalmax u kapën 49 kg kokainë.

Gjata kalimit të kontejnerit në skaner u ndez sinjali i kuq, Selim Çekaj në atë kohë u dha lejen autoriteteve që ta hapin që në portin e Durrësit.

72-vjeçari ka mohuar kategorikisht që të kishte lidhje me lëndën narkotike, duke i mëshuar faktit që ai kishte porositur vetëm fruta. Ndërsa djali i tij Arbër Çekaj është dënuar me 14 vite burg, për trafikimin e një sasie rekord prej 613 kg kokainë të kapur në vendin tonë.

Top Channel