Grabitja në zyrat të këshillit të qarkut Vlorë, arrestohet drejtori që e denoncoi dhe specialisti, pranga dhe bashkëpunëtorit

15/10/2021 08:56

Policia e Vlorës ka arrestuar tre persona të cilët u përfshinë në grabitjen që ndodhi disa ditë më parë në zyrat e administrimit të pronave në qarkun e Vlorës, ku u vodhën 2 dosje të pronave në Dhërmi e Himarë.

Në pranga ranë Drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Bardhyl Gjika, 60 vjeç, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino, 37 vjeç, dhe shtetasin Spiro Duni, 51 vjeç.

Drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Bardhyl Gjika

Dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin ata kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi.

Ende nuk bëhet e ditur se cili prej tyre ka hyrë në zyrat e qarkut, duke thyer dyert me levë, por dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ka marrë dosjet e Dhërmiut për të humbur gjurmët e falsifikimit që kanë bërë në dosjet e bregdetit.

“Nga hetimet ka rezultat se shtetasi B. Gj, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtori shtetasin K. M, dhe shtetasin S. D, dyshohen se kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se, ditën që ndodhi ngjarja ishte drejtori i kësaj zyre i cili denoncoi në media ngjarjen e ndodhur, ndërsa sot është vënë nën prangat e policisë!

“Rreth orës 00:15 jam njoftuar që kanë hapur zyrat. Një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrën e pronave. Erdha këtu, gjeta policinë dhe rojen. Po bëjmë një inventar për të saktësuar çfarë mungon. Është zyra e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe zyra tjetër. Nuk dimë për vjedhje dosjesh derisa të mbarojmë inventarin. Këto janë zyra që kanë rëndësi tjetër në krahasim me zyrat e tjera të qarkut. Nëse ka humbur një dokument origjinal, ka një rrezik se nuk mund të krahasohet me dokumentin fotokopje. Roja e ka konstatuar, e ka njoftuar. Sipas të dhënave, ka hyrë nga dritarja tek zyra e zëdhënësit dhe ka dalë nga dera kryesore. Edhe dera kryesore ka kamera”, u shpreh më herët drejtori për mediat.

Kadastra e Vlorës ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes për problematika të ndryshme dhe janë verifikuar shpesh lëvizjet e ndryshme në institucion, që nga regjistrimet, legalizimet dhe deri te mungesa e marrëdhënies korrekte me qytetarët.

Top Channel