Donin të kalonin lumin Devoll me makinë, shefi i zjarrfikëses: Shpëtuan falë ndërhyrjes në kohë, rrezikonin seriozisht jetën

15/10/2021 15:07

Shefi i zjarrfikëses në Maliq, Sadik Halili ka folur për ngjarjen me turistët hungarezë që mbetën të bllokuar pasi donin të kalonin lumin Devoll me makinë duke thënë se rrezikonin seriozisht jetën me veprimin e tyre.

Sipas tij, në një periudhë si kjo, lumi i Devollit është shumë i rrezikshëm aq më tepër për ata drejtues mjetesh që nuk e njohin terrenin.

Halili: Jemi njoftuar për një rast ku një mjet me 4 turistë duke kërkuar për të kaluar nga një anë e bregut drejt anës tjetër të lumit Devoll, mjet i cili ka mbetur në mes të lumit. Në kushte të tilla rrezikonin seriozisht jetën e tyre 4 turistët, ndërkohë që edhe dy mjete të tjera po bëheshin gati për të kaluar lumin Devoll.

Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës ka bërë të mundur shpëtimin e jetës së tyre. Të 4 turistët me ambulancë janë dërguar drejt spitalit të Maliqit, pa probleme për shëndetin e tyre. Në një periudhë si kjo, me reshje të shumta , lumi i Devollit është shumë i rrezikshëm aq më tepër për ata drejtues mjetesh që nuk e njohin terrenin.

Kujtojmë se me 4 automjetet e tyre 10 turistët hungarezë donin të kalonin lumin, por makina e parë që e provoi  u rrëmbye  nga rryma e ujit e cila e zhvendosi 10-15 metra.  brenda ishin 4 persona që jetën ua shpëtuan banorët e zonës që lajmëruan policinë.  Me ndihmën e zjarrfikëses u siguruara fiksimi i makinës me një kavo që të mos e merrte uji derisa u nxorën në breg turistët e huaj.

Turistët që kërkuan adrenalinën në një terren të panjohur dhe si rrjedhim të rrezikshëm pa guidë vendase u ndihmuan nga policë e zjarrfikës duke shpëtuar pa lëndime.

Top Channel