Referuar të dhënave që morëm mëngjesin e sotëm nga Ministria e Shëndetësisë, stafet akademike dhe administrative të 39 universiteteve publike dhe private në vend janë vaksinuar në masën mbi 80 %, ndërsa përsa u përket studentëve janë vaksinuar 30% e tyre deri më tani.

Janë rreth 120 mijë student që do të nisin vitin e ri akademik më 18 tetor 2021.

Ne ndodhemi tek dy fakultetet ai i Historisë dhe Filologjisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Në hyrje ndodhet staf mjekësor prej 5 vetash në pritje të studentëve që vaksinohen.

Holli duket bosh, por mjekja Enika Fusha thotë se duhet të kishim ardhur pak më herët ose të qëndrojmë më gjatë në godinë. Sipas saj procesi i vaksinimit të student po ecën me ritme të mira. Janë të ndërgjegjësuar dhe të informuar. Vaksinohen me vaksinën që zgjedhin vetë. Deri në këtë orë të ditës kemi vaksinuar 8 studentë. Ne jemi këtu deri në fund të kësaj jave nga ora 8.30 e mëngjesit deri në 14 të drekës.

Esmeralda Kromidha, Dekane: Mbi 80% e stafit të fakultetit tonë është vaksinuar. Studentëve iu jemi drejtuar në adresat e tyre elektronike, rrjetet sociale dhe faqet së fakultetit, dhe para rreth 2 javësh kryem një pyetësor. Ne numërojmë 1700 studentë active. Pyetësorit në lidhje me vaksinimin ju përgjigjën 540 studentë nga të cilët rezultojnë 251 studentë të vaksinuar. Ne do të zbatojmë urdhërin e Ministrisë së Shëndetësisë që thotë se në auditore do të zhvillojnë mësim vetëm studentët e vaksinuar.

Top Channel