“S’ta kemi fajin ne që lëshon të shara sikur je në jerm erotik”/ Rama-Bashës: Ja mënyra e vetme si mund të bëhesh gati për bashkëqeverisje

14/10/2021 12:24

Kryeministri Edi Rama i bëri të qartë Bashës se si është mënyra e vetme se si mund të bëhen gati për bashkëqeverisje. Teksa fliste me tone ironie për kreun e PD, Rama theksoi se taksa e karbonit nuk ka për tu hequr dhe të mos i tregojë familjet e varfra sepse “i ka në lëkurën e dorës”.

Nuk hezitoi t’i tregonte arritjet e karrierës së tij politike, takimet me shqiptarët e të gjitha moshave dhe i sugjeroi që të mos hyjë në garë se kush e shan më shumë sepse nuk është rruga e duhur drejt suksesit.

Rama: Sa i përket çështjes së kontrabandës, akuzove një person për kontrabandë dhe more duartrokitje, por ka shifra Lulzim. Në vitin 2013 dhe në 2012, ju zhdoganonit 313 mijë ton. E di sa është zhdoganuar tani që flasim? Akuzon drejtpërdrejt një subjekt. Ndryshimi mes meje dhe teje është që nuk marr njerëz nëpër gojë. E di si goditet një person me emër dhe papritur mbaron sulmi dhe tani, atë emrin që përmende, formulo denoncimin dhe dili ti për Zot meqë e sjell SPAK gjatë gjithë kohës. Për të na ndjekur nga mbrapa se çfarë themi ne bëjnë ata.

Kështu që janë shifra shumë të thjeshta. Taksa e karbonit nuk ka për tu hequr se besojmë se kush ndot më shumë, duhet të paguajë më shumë. Nuk ndosin pensionistët, fëmijët apo invalidët. Sa i përket Shqipërisë, po të them që nga Ismail Qemali deri sot, po të mbledhësh të gjithë km që kam bërë unë, nuk i bën dot për shkak të detyrës. E sjell këtu jo për të thënë se jam më i zoti se të tjerët, por për të thënë se si e njoh unë në çdo cep këtë vend dhe në sa familje kam hyrë e sa duar kam shtrënguar, ty të duhen disa jetë edhe sikur të fillosh të zgjohesh herët e të mos flesh aq herët. Me këtë regjim gjumi, të duhen shekuj ta bësh këtë gjë. Mos më trego as familjet e varfra, as kush vuan.

I kam këtu tek lëkura e dorës, qindra mijëra duar të të gjitha moshave dhe në këtë pikë, askush nuk më jep dot leksione tek njohja e këtij realiteti. Ti thuash shqiptarëve që të gjithë ju duhet të paguani më pak dhe shteti të bëjë të gjitha për ju, do të thotë të mos e kesh marrë vesh që ka ndryshuar sistemi. I ke gjetur gati gjërat. Në radhë të parë duhet të tregosh vizat dhe që e futët Shqipërinë në NATO.

Shifrat janë shifra, faktet janë fakte. Para se të të lë fjalën se kam punë të tjera për të bërë, nëse do debat idesh, argumentash, opinionesh, interpretimesh të ndryshme të fakteve, bujrum. Nëse vjen këtu dhe i jep gojës si tjetri, mos u anko se të vjen foltorja. Nëse vjen këtu dhe lëshon të shara sikur je në jerm erotik dhe shfryn këtu, s’ta kemi fajin ne. Mos hyr në garë kush më shan mua më shumë se e shoh që kjo garë ka nisur mes teje dhe ustait. Për të shara nuk e konkurron njeri atë ustain. Është sharësi dhe shpifësi më i madh që ka jetuar në jetën tonë shqiptare. Mos hyr në këto historira se je dobët shumë. Kur të kalosh nga kopja tek origjinali nëse e ke ndonjë brenda, atëherë mund të bëhesh gati për bashkëqeverisje.

Top Channel