Shkolla e re “Bashkim Fino”/ Veliaj dhe e bija e ish deputetit Fino inspektojnë ecurinë e punimeve

14/10/2021 13:57

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me Megi Finon, vajzën e ish-deputetit të ndjerë Bashkim Fino inspektuan sot ecurinë e punimeve në shkollën që do mbajë emrin e tij. Veliaj tha se shtatorin e ardhshëm shkolla do jetë gati për të pritur nxënësit e zonave përreth.

“Jam shumë krenar dhe mezi pres që shkolla e re “Bashkim Fino” të jetë realisht një mundësi dhe një oportunitet për fëmijët që ndoshta janë ndjerë të periferisë, sot s’ka më asnjë arsye. Mezi pres që ne të fillojmë një fushatë sensibilizimi gjatë gjithë këtij viti, duke filluar nga fëmijët që duan të transferohen nga shkollat në lagjet e tjera dhe të rrinë këtu në lagjen e tyre”, nënvizoi Veliaj.

 “Jemi shumë të vlerësuar dhe shumë krenarë dhe falenderojmë shumë mikun tonë të veçantë Erionin. Është krenari jo vetëm sepse mban emrin e babait tim, por edhe për faktin që të bëhet një shkollë me të tilla standarde në këtë zonë”, tha Megi Fino.

Njësisë 2 në kryeqytet do i shtohet një kopsht dhe një shkollë e re 9-vjeçare e cila do jetë me një kapacitet për afro 1000 fëmijë. Shkolla që do mbajë emrin e Bashkim Finos po ngrihet në afërsi të Qytetit Studenti, në zonën e njohur si ish-“Kaldaja e vjetër”.

Top Channel