Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Të njëanshëm dhe të pakoordinuar, e quajti shefi i diplomacisë europiane Joseph Borell aksionin e policisë së Kosovës kundër kontrabandës, i cili u shtri në disa pjesë të vendit duke përfshirë edhe zona veriore me shumicë serbe.

Ai kërkoi që veprimet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë dhe tha se të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet që të zgjidhen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por qortimet e Borell janë pasuar nga kritika të shumta.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, u shpreh se në fakt kryediplomati europian, duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe shtoi se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.

“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, reagoi ndaj deklaratës së përfaqësuesit të lartë të bllokut për Politikë të Jashtme dhe Siguri. BE-ja, tha Bosch, po e tregon edhe një herë “paaftësinë” e saj në lidhje me Kosovën, ndërsa Borrell duhet të njihet me realitetin se veriu i Kosovës drejtohet nga banda kriminale.

Ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, tha nga ana tjetër se aksione të tilla në Kosovë ka çdo ditë dhe se është e gabuar të mendohet se duhet bashkëpunim me Beogradin për të luftuar krimin dhe kontrabandën.

Top Channel