Vidhnin kartat ID të pacientëve dhe merrnin kredi në emër të tyre/ Apeli vendos arrest me burg për infermieren dhe arrest shtëpie për shitësen

13/10/2021 14:49

Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në burg infermierën e spitalit psikiatrik nr.5 në Tiranë, Elisabeta Bardhollari dhe arrest shtëpie Orjada Hoxhën, pasi ka tre fëmijë të mitur. Apeli e refuzoi kërkesën e tyre për një masë më të butë sigurie.

Këto dy shtetase u arrestuan pasi në bashkëpunim me njëra-tjetrën nëpërmjet mashtrimit përvetësuan rreth 40 milionë lekë pajisje elektroshtëpiake.

39-vjeçarja Bardhollari mësohet se ishte e punësuar si infermiere në spitalin nr.5 në Tiranë, ndërsa 32-vjeçarja Hoxha, punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake.

Si rezultat i hetimeve rezulton se infermierja vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për trajtim dhe më pas ia jepte Hoxhës. Kjo e fundit i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte.

Bardhollari dhe Hoxha përdornin një institucion financiar për të tërhequr para përmes aplikimeve online duke përdorur mjetet e identifikimit pa dijeninë e pacientëve.

Rasti u zbulua pas denoncimit të bërë nga një qytetar në polici. Nëpërmjet bankës së nivelit të dytë ku merrej kredia, u identifikua fillimisht Hoxha, 32 vjeçe. Pasi u arrestua ajo pranoi veprimet që kishte kryer duke argumentuar se gjithçka e kishte bërë në mirëbesim.

Top Channel