Përplasja fatale ka ndodhur pak pasi kalon degëzimin e stacionit të trenit në Milot, në drejtim të Tiranës, aty ku është një dalje dytësore, që me anë të një nënkalimi të çon në fshatrat e zonës.

Ngjarja ka ndodhur në orën 05:30 të mëngjesit dhe në rrugë nuk kishte qarkullim. Automjeti tip Benz që drejtohej nga Gentian Mandreja, dhe në të cilën ndodheshin dy pasagjerë, Ardian Prenga dhe Violeta Prenga, duke parë se përballë nuk vinte asnjë makinë, është futur në parakalim, në një zonë me vija të ndërprera.

Sapo ka nisur parakalimin, furgoni tip Benz që drejtohej nga Gjergji Kaçori e që ndodhej krah tij, ka nisur maovrën e kthimit majtas për në nënkalim, duke bërë që të dy automjetet të përplasen. Autovetura është rrotulluar disa herë dhe ka përfunduar e përmbysur poshtë nënkalimit, ndërsa furgoni ka ngecur në mbrojtëset metalike të rrugës. 17 vjeçari, Ardian Prenga ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa Violeta Prenga ka pësuar disa dëmtime serioze.

Ky aksident ka deri më tani 5 akt ekspertime.

Ekspertiza e parë, e kryer nga eksperti i policisë së rendit, Ramazan Veseli, përcaktoi se shkaku determinant i këtij aksidenti ishte shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor të drejtuesit të autoveturës Gentjan Mandreja, i cili e arrestuan një javë pas aksidentit në ambientet e spitalit të Traumës. Drejtuesi i furgonit Gjergji Kaçori, është mbajtur vetëm 48 orë në paraburgim dhe më pas është lënë i lirë. Mandreja nuk e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar një akt ekspertimi privat nga Shpëtim Xhetani, që e konsideron të pafajshëm.

Në fillim të shkurtit 2016 Prokuroria e Kurbinit, ka kërkuar rieskpertimin e tretë me 4 ekspertë, nga të cilët Edmond Kazazi dhe Mërkur Dobi janë përcaktuar nga organi i akuzës dhe Artur Sulçe e Mark Gjonpalaj janë përzgjedhur nga personi nën hetim.

Këta ekspertë kanë përgatitur dy akt ekspertime të ndryshme. 3 prej tyre, Edmond Kazazi, ekspert autoteknik në prokurorinë e përgjithshme, Artur Sulçe dhe Mark Gjonpalaj kanë përcaktuar si shkak determinant mungesën e sinjalistikës në këtë segment rrugor. Ndërsa Mërkur Dobi ka përcaktuar se fajtor është drejtuesi i furgonit, Gjergji Kaçori, i cili nuk është siguruar se pas tij ishte një tjetër makinë në parakalim dhe ai ka nisur manovrën për tu futur në kthesë. Këto dy akte ekspertimi i dhaë lirinëme kusht Gentjan Mandresë, pas 3 muaj burg.

Por ai nuk është pranuar nga Gjergji Kacorri, i cili ka kërkuar një tjetër rieskpertim të pestë, në përbërje të të cilit ishin 6 ekspertët: Shkëlqim Hima, Mit’hat Tola, Agron Mema, Bujar Smaja, Arjan Janku dhe Artur Sinorukaj. Riekspertimi i 5-të, ka konkluduar se shkaku kryesor i këtij aksidenti është drejtuesi i autoveturës, Gentjan Mandreja dhe se furgoni ka patur përparësi.

Por ky vendim nuk është marrë në konsideratë nga gjykata e Kurbinit e cila e ka lënë të lirë Gentjan Mandrenë dhe ka sjellë përplasje me prokuroren e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj.

Ajo e akuzon gjykatën e Kurbinit se nuk ka vlerësuar provat dhe se me vendim marrjen e saj po krijon një precedent të rrezikshëm duke mbrojtur interesa të subjekteve private dhe duke mos vlerësuar një jetë të humbur. Ajo kërkoi dënimin e Gentjan Mandresë me 4 vite burg. Mirëpo edhe gjykata e Apelit në Tiranë e ka shpallur të pafajshëm Mandrenë dhe aktualisht çështja ndodhet në Gjykatën e Lartë.

Top Channel