Tentoi të vriste me thikë një shtetas, policia zbardh ngjarjen dhe kap autorin e dyshuar

13/10/2021 11:47

Polici e Lushnjës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në lagjen “20 Tetori” ku mbeti i plagosur me thikë një 41-vjeçar.

Pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës ka shkuar i plagosur shtetasi G. D., 41 vjeç, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe pas një pune intensive dhe veprimeve të mirë organizuara u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit A. D., i cili në lagjen “20 Tetori”, në lokalin e tij, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë 41-vjeçarin.

Ndërkaq, shtetasi G. D., ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. D., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale thika me të cilën dyshohet se ka kryer krimin dhe 1 shkop bejsbolli.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” shtetasin A. D., 49 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi A. T., 55 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk ka kallëzuar në organet kompetente krimin e ndodhur.

Top Channel