Një aksion i ri i nisur nga organet ligj zbatuese në veri të vendit, këtë herë për luftimin e kontrabandës, u bë shkak i sulmeve e bllokadave të serbëve të kësaj pjese.

Përmes mjeteve të rrezikshme si bombola gazi, granata dore e shok bomba, serbët tentuan të pengonin aksionin nga i cili 10 policë dhe 1 person i përfshirë në sulme, u lënduan, por janë jashtë rrezikut për jetë.

Kjo bëri që në 8 lokacione në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan të mos përfundonin aksionet.

Deri më tani 8 persona u arrestuan, ndërsa 10 të tjerë u shpallën në kërkim, pjesa dërrmuese shqiptar.

I pari i policisë ka njoftuar se për aksionin në fjalë kishte pasur rrjedhje të informacioneve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se një shërbim aleat ka iniciuar rastin dhe për këtë ka pasur bashkëpunim me ndërkombëtarët, por pa pranuar të jap më shumë detaje.

Cak i sulmeve të bandave serbe ishin edhe gazetarët.

Megjithëse në të gjitha raportet e BE-së përmendet problemi i kontrabandës dhe kërkohet nga institucionet luftimi i kësaj dukurie, ndaj këtij aksioni reagoi ndryshe shefi për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, i cili kërkoi ndërprerje të aksionit duke e vlerësuar si veprim të njëanshëm.

Ndryshe nga Borrell deklaruan nga NATO, të cilët e kanë mbështetur aksionin e ndërmarrë, duke thënë se KFOR ka qenë në komunikim me autoritetet përkatëse.

Top Channel