Skandali në “RTSH Agro”/ Çupi: Janë dy karrige për tre gazetarë, ku shkojnë paratë që merren nga buxheti i shtetit?

13/10/2021 21:30

Investimet në “RTSH Agro” janë shumë modeste, krahasuar me buzhetin që televizioni publik shqiptar merr nga buxheti i shtetit, sipas analistit Frrok Çupi.

Ky televizion është bërë kryefjala e ditëve të fundit, pasi u zbulua ish-drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi ka shpërdoruar detyrën, duke keqmenaxhuar fondet.

I ftuar në “Open”, analisti Frrok Çupi thotë se i ka parë nga afër ambientet dhe “RTSH Agro” dhe kushtet janë skandaloze.

Janë tre gazetare me 2 karrige. Nuk bëhet kondicionimi i mjeteve kompjuterike. Edhe pllakat janë të periudhës së komunizmit. Është e tmerrshme si një televizion  publik, ka 14-16 kanale që nuk bëjnë asgjë. Kanë vetëm një ose dy gazetarë dhe një drejtor. Është e bazuar e tëra në një mashtrim”.

Sipas tij, kanalet e Radio Televizionin Shqiptar janë një skemë për të fituar para.

Këto kanale janë thjesht thasë, ku futen para. Kemi një televizion publik, që merr fondet më të mëdha pas ÇEZ-it nga qeveria dhe që e ka audiencën 0.8 %. Televizioni publik gjerman ka vetëm 3 kanale. Për çfarë na duhen ne gjithë këto”.

Gëllçi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën gjatë procedurës së prokurimit për blerje pajisjesh për kanalin RTSH Agro me fond limit mbi 860 milionë lekë pa TVSH dhe se keq menaxhoi fondet në zbatimin e një kontrate që nuk u zbatuar brenda 45 ditëve.

Në dosjen që Top Channel disponon SPAK e nis numërimin e shkeljeve të dyshuara nga ish zyrtari dhe tre anëtarët e KVO me gjetjet e KLSH që theksonte se nuk duhet të skualifikonte vetëm Eurokontakt SHPK, por edhe operatori që u shpall fitues, TBS 96, pasi nuk i plotësonte kriteret.

I hetuari Gëllci, sipas SPAK dyshohet se ka kryer një procedurë tenderimi 1 vit përpara se të merrte miratimin nga AMA dhe dy vjet përpara fillimit të funksionimit të kanalit për të cilin u njoftua procedura nga institucioni që i drejtonte në atë kohë.

Top Channel