Për tre ditë! Festivali Ndërkombëtar i Filmit argëton fëmijët në Gjirokastër

13/10/2021 20:16

Për tre ditë me radhë fëmijët gjirokastritë do të kenë mundësinë të përjetojnë atmosferën e kinemasë. Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë dhe Adoleshentë, organizuar nga “Anifest” do të qëndrojë i hapur për fëmijët e këtij qyteti deri në 13 tetor.

Synimi kryesor i edicionit të gjashtë të këtij festivali, që rikthehet në qytetin e gurtë, është edukimi i fëmijëve dhe adoleshentëve nëpërmjet filmit. I pranishëm në event, Bujar Kapexhiu, që vjen më së shumti si një prej autorëve të filmit të animuar shqiptar, thekson rëndësinë e këtij lloji në kohën kur film ii animuar pothuajse nuk ekziston.

Mbi 360 filma nga 45 vende të ndryshme të botës, janë regjistruar për t’u bërë pjesë e festivalit. Situata pandemike edhe në këtë rast kushtëzoi zhvillimin normal të tij duke e bërë vlerësimin e filmave nga një juri online.

Festivali Anifest në qytetin e Gjirokastrës vjen si një bashkëpunim mes Bashkisë Gjirokastër dhe Maku Production. Gjatë këtij aktiviteti do të transmetohen 58 filma me metrazh të shkurtër nga kinematografia shqiptare dhe ajo botërore, 13 prej të cilëve realizuar nga vetë fëmijët.

Top Channel