“Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”/ Krasniqi: Monitorim i rregullt dhe i rreptë

13/10/2021 19:28

Në Tiranë u mbajt Konferenca Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, organizuar nga Autoritet i Mediave Audiovizive.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi në fjalën e saj garantoi se AMA do të vijojë monitorimin e rregullt dhe të rreptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga Kodi i Transmetimit dhe forcimin e penaliteteve për OSHMA-të që shkelin dispozitat e këtij kodi për mbrojtjen e fëmijëve.

“Kontributi për mbrojtjen e fëmijëve është kontributi më thelbësor që mund të jepet për një shoqëri dhe të ardhmen e saj. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndikimi i mediave audiovizive tek fëmijët mund të çojë në sjellje agresive, mund të trembë fëmijët, mund të ofrojë heronj të dhunshëm për të imituar dhe mbi të gjitha shpesh krijon bindjen se tregon se dhuna është normë shoqërore. Në një kohë kur zhvillimi teknologjik po na përball me sfida shumëdimensionale, detyra e medias është mbi të gjitha mbrojtja e interesave më të larta shoqërore përmes edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, nënvizoi Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s Krasniqi bëri të ditur se në bazë të strategjisë së AMA-s për vitin 2021-2023 do të rishikohet Kodi i Transmetimit.

“Rishikimi do kryhet nga AMA në konsultim të gjerë me të gjithë aktorët relevantë në këtë fushë. Unë edhe dje shfrytëzova mundësinë nga Konferenca e OSBE dhe po e përsëris edhe sot, apelin për sa më shumë kontribut dhe gjithëpërfshirje në rishikimin e këtij Kodi, pasi besoj se shumësia e ideve bën një Kod që i shërben dhe prek e mbulon shumë komponentë të kohës që jetojmë. Pranë AMA-s, prej muajit prill 2016, funksionon Këshilli i Ankesave. Që nga nisja e punës e deri më sot Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar mbi 570 të tilla. 178 prej të cilave kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve”, – bëri të ditur znj. Krasniqi.

Në këtë konferencë morën pjesë gjithashtu Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro ,ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni. Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro deklaroi se “e drejta për të shprehur lirshëm opinionet, sidomos ato të fëmijëve thekson edhe njëherë rëndësinë se sa e rëndësishme është të mbrojmë të drejtat e njeriut.

“Ssapo kam përfunduar konferencën mediatike për Evropën Juglindore, e cila u mirëprit këtë vit në Tiran. Kjo konferencë për gazetarinë në këtë kohë krizash shërben për të shpjeguar se sa e rëndësishme është gazetaria për publikun dhe si një shtyllë kryesore e shoqërisë tonë demokratike, në këtë konferencë u dhanë mundësi shumë të rëndësishme për të folur për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në rajon”., tha Ribeiro.

Top Channel