Manovra të rrezikshme në rrugë, të dehur në timon e pa patentë/ Arrestohen 15 shoferë, gjobiten qindra të tjerë

13/10/2021 16:32

15 persona janë arrestuar në 3 ditët e fundit në vendin tonë, pasi janë kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

Sipas policisë rrugore, gjatë 3 ditëve të fundit, si rezultat i përdorimit të makinës inteligjente, janë vendosur 2134 masa administrative, për shpejtësi tej normave të lejuara, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.

Janë pezulluar 75 leje drejtimi, nga të cilat 41 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 30 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, nga shërbimet e Policisë Rrugore, 2421 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, konkretisht për parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, mospërdorim të rripit të sigurimit, përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, për shpejtësi tej normave të lejuara (pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit), për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve dhe për parkime të gabuara, që bllokojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve,njofton policia.

 

Top Channel