Të gjitha tifo-grupet një krah Kombëtares, “Air Albania” do të jetë “vullkan” kuqezi

12/10/2021 11:20

22 mijë zemra kuqezi për t’u dhënë krahë 11 “luanëve” në fushë! “Air Albania” do të jetë e mbushur në kapacitet të plotë për një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e Kombëtares Shqiptare, në të cilën luhet mundësia për të shkuar në “Katar 2022”.

Sigurisht që edhe nëse renditemi të dytët në Grupin I, duhet të kapërcejmë një tjetër “mal të lartë” në fazën play off për bërë realitet ëndrrën.

Në impiantin modern të Shqipërisë, mbështetja do të jetë maksimale, madje të gjitha tifo-grupet e Kombëtares dhe të klubeve të mbarë Shqiptarisë do të bashkohen në një sektor të vetëm, për të dhënë mesazhin e qartë se të gjithë bashkë, në fushë dhe në tribuna, duhet të jemi një. Si e vetmja rrugë, për të ecur me krenari dhe të palëkundur përpara drejt arritjes së një objektivi historik për Shqipërinë.

Surpriza do të jetë një banderolë gjigante, e cila do të japë mesazhin e bashkimit të fuqive në të një të vetme, të pamatë, rreth ëndrrës kuqezi.

“Air Albania” do të jetë një “vullkan” kuqezi, një “ferr” i vërtetë për kundërshtarët, që duhet t’i bëjnë llogaritë me një fuqi të pazakontë që buron nga bashkimi rreth simbolit të kombit, Kombëtares së Futbollit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA