Shkarkimi i Flamur Nokës, reagon Tritan Shehu: Ndëshkim nul, nuk po rrëzojmë Ramën por veten tonë

12/10/2021 07:07

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka kritikuar vendimin e kryedemokratit Basha për të shkarkuar deputetin Flamur Noka nga posti i nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë.

Në një shënim në rrjetin social Facebook, Shehu shkruan se ky është ndëshkimi i dytë që merret pa respektuar rregullat, statutin dhe parimet e demokracisë. Ai thekson se ngjarje të tilla janë krejt në kundërshtim me atë që ne duhet të bëjmë e të realizojmë. Shehu thotë më tej se partia në vend që të rrëzojë Ramën, po rrezon vetveten.

“Vazhdon cikli i ndëshkimeve të natës nga z.Basha! Po lexoj në media se z.Noka qenka shkarkuar pak më parë nga detyra e tij, si Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe për më shumë është paralajmëruar për përjashtim nga Grupi Parlamentar… sepse paska folur a thënë diçka. Sikur Noka të ishte Zhukovi i BS-së, që u shkarkua në ajër nga frika se mos nxirrte tanket në Moskë në mëngjes. I dyti “ndëshkim” ky, pa asnjë vendim kolegjial, pa u pyetur asnjë forum, as Grupi vetë, i marrë nga z.Basha në orët e vona. Fill mbas atij për z.Berisha. Të dyja arbitrare, pa respektuar rregullat, statutin, parimet e demokracisë! Ngjarje këto që në fakt janë krejt në kundërshtim edhe me atë që ne duhet të bëjmë e të realizojmë. Në vend që të rrëzojmë Ramën, po “rrëzojmë” veten tonë. Një element më shumë ky, që tregon sa i domosdoshëm është Kuvendi ynë Kombëtar për të diskutuar e debatuar se bashku, për të dalë nga kjo spirale kaq e rrezikshme ndëshkimesh e përjashtimesh, që po u la kështu, asnjë nuk mund të parashikojë deri ku do shkojë e si do të përfundojë. Një gjë mund ta parashikojmë, faktin se kjo metodikë, këto “masa” nuk ndjellin asgjë të mirë për PD-në; demokratët, demokracinë shqiptare. Prandaj sa më shpejt të shkojmë në Kongresin tonë!”, shkruan deputeti Tritan Shehu.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komunikoi të hënën shkarkimin e Flamur Nokës nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, si dhe paralajmëroi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.

Kryedemokrati ka akuzuar deputetin Noka se ka shndërruar mbledhjen e Kryesisë së grupit në “laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena”.

Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e PD dhe të demokratëve, duke zhvendosur vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama”, thuhet në qëndrimin e Bashës të shpërndarë nga zyra e shtypit të PD.

Përplasja më e fundit lidhet me deklaratën e bërë nga Noka për mediat lidhur me mbledhjen e kryesisë së grupit të PD, ku tha se Basha e ka quajtur “llum” bazën e PD.

Noka është një prej deputetëve që ka dalë në përkrahje të ish-kryeministrit Sali Berisha pas përjashtimit të tij nga grupi i PD duke e cilësuar vendim individual të Bashës.

Pas këtij qëndrimi, mes Nokës dhe Bashës ka pasur disa herë debate në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar të PD.

Top Channel