Shkarkimi i Flamur Nokës/ Albana Vokshi kundër Bashës: Memeceria çon PD-në në vdekje të sigurt

12/10/2021 07:39

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar në lidhje me shkarkimin e Flamur Nokës, si nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Vokshi thekson se liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në.

Liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në. Memeceria, bindja e verbër dhe futja në rresht janë asfiksim që e çon PD-në në një vdekje pa zhurmë por të sigurtë”, shkruan Vokshi.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi ditën e sotme se shkarkimi i Flamur Nokës nga pozicioni i nënkryetarit të komisionit parlamentar për sigurinë dhe paralajmërimi për përjashtim nga grupi erdhi pas sajesave dhe shpifjeve, të cilat sipas tij i shërbejnë armikut të përbashkët të demokratëve, Edi Rama.

Deputeti demokrat, Flamur Noka të hënën në një deklaratë për mediat zbuloi se çfarë ka ndodhur, sipas tij, të dielën në Kryesinë e Grupit të PD-së, duke treguar se Lulzim Basha e quajti bazën e partisë dhe qeverinë e Berishës “llum”.

Një deklaratë të tillë, Noka e bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ndërsa bëri me dije se kreu demokrat konfirmoi të dielën se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD-së dhe i demokratëve.

Askush s’ka guxuar, as Fatos Nano, as Edi Rama dhe as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum. Askush, as armiqtë më të egër të forcës sonë politike që të konsiderojnë bazën e PD-së, e cila po mbush foltoret, që kërkon kjo forcë të rikthehet në standardet e saj dhe normat statuore, t’i rikthehet betejës me Edi Ramën dhe jo të qëndrojë në kthetrat e Ramës. Nuk ka guxuar askush, përveçse z.Basha, askush tjetër”, deklaroi Noka.

I mënjëhershëm ishte edhe reagimi zyrtar i Partisë Demokratike, e cila e konsideroi deklaratën e deputetit demokrat një mashtrim dhe që s’është hera e parë që kërkohet të shtrëmbërohet e vërteta e diskutimit në mbledhje, pasi një fjalë e tillë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot në partneritet me Edi Ramën, përdorin anëtarësinë e PD-së për interesa personale.

Përpjekje të dëshpëruara dhe fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje. Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën “llum”. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personale dhe të pushtetit të Ramës”, thuhet në reagimin zyrtar të PD-së.

PD, deklaron se anëtarësia dhe militantët e nderuar të saj kanë sfiduar çdo regjim deri më sot, nga ai komunist te ky i fundit Rama-Doshi-Rakipi dhe nuk manipulohet nga asnjë lloj manipulimi që bëhet për llogari të tij.

Top Channel