Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte e pranishme në Universitetin e Durrësit për të parë nga afër se si po shkon procesi i vaksinimit tek studentët.
Në fjalën e saj para mediave, Manastirliu tha se janë lajmëruar studentët ndërsa strukturat e Ministrisë janë në terren për të vijuar me këtë fushatë derë më derë.
Manastirliu: Kemi hyrë në një fazë tjetër të fushatës tonë të vaksinimit, është një plan më intensiv sa i përket vaksinimit të të gjithë personave +18 me fokus tek studentët, ku vërehet se kemi interes të shtuar. Kemi shkuar në çdo universitet. Gjatë kësaj jave kemi filluar bashkëpunimin me strukturat e Arsimit të Lartë.
Vetë rektorët janë të angazhuar që të njoftojnë studentët se kjo javë është javë vaksinimi. Ne të gjithë duam që të mos kemi më ndërprerje të shkollave, mësimet që kryheshin në mënyrë të alternuar, por ajo që duam është që mësimi të bëhet në auditor. E vetmja mënyrë është pikërisht që të vaksinoheni sepse vaksinimi është e vetmja armë e njohur nga të gjithë e cila kufizon hapjen e infeksionit.
Dua të falenderoj rektoren e Universitetit të Durrësit për lajmërimet e studentëve dhe dua të konfirmoj se strukturat e Ministrisë janë në terren për të vijuar me këtë fushatë derë më derë për vaksinimin e popullatës. Vaksina është e vetmja armë që shpëton jetën. Ashtu sikurse ekspertët thonë, jo vetëm efektiviteti i vaksinës por edhe vaksina mbron deri në 100% deri në format e rënda të sëmundjes dhe fatalitetet.
Nuk mungoi komenti i saj për të rinjtë që nuk kanë besim tek efektiviteti i vaksinës duke thënë se faktet dhe ekspertët ndërkombëtarë e kanë treguar qartë se vaksina shpëton jetën.
Manastirliu: Kemi kryer më shumë se 1.8 milion vaksinime, më shumë se 900 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e parë, 800 mijë janë të mbrojtur me të dyja dozat. E dimë që ka të rinj që duan të shtyjnë apo të kenë sigurinë 100% por fakti që të gjithë ekspertët ndërkombëtarë tregojnë se vaksina shpëton jetën. Kjo nuk ka më fije dyshimi sepse është e garantuar.
Top Channel