Një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike e ardhur nga Ekuadori është sekuestruar të martën në kontejnerët e firmës “Alba Exotic Fruit” në Portin e Durrësit.

Burimet nga policia thanë se si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

“Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontejnerët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, citohet nga deklarata e policisë.

Kjo sasi narkotike u kap në kuadër të operacionit “Rada”, i nisur më datë 13 korrik të këtij viti në Portin e Durrësit.

Mësohet se Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.

Kjo është sasia e gjashtë e ngarkesës me kokainë që i kapet kësaj firme, pronari i të cilës, Eduart Dauti vijon të jetë i shpallur në kërkim, ndërsa administratori i saj është arrestuar më 13 korrik të këtij viti.

Deri tani janë rreth 40 kg të sekuestruara në kontejnerët e kësaj kompanie.

Top Channel