Duke cituar shtypin francez, mediat në Prishtinë raportojnë se një kosovar 33 vjeç në qytetin Nancy është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Fillimisht, si e dyshuara kryesore për vdekjen e tij ishte shpallur partnerja, e cila para organeve të drejtësisë dha disa deklarata të paqarta mbi ngjarjen e rëndë.
Por verifikimet treguan se historia ishte edhe më dramatike se kaq: “France Bleu” thotë se prokuroria e Nancyt njoftoi se për këtë vrasje është ndaluar djali 13-vjeçar i viktimës, që mendohet ta ketë qëlluar të atin me plumb në kokë.
Sipas të dhënave të para, burri kishte konsumuar shumë alkool dhe për këtë arsye ka rrahur bashkëshorten, por në atë moment, i biri, që është dhe më i madhi i pesë fëmijëve të çiftit, ka marrë armën e të atit dhe e ka qëlluar.
Prokurori François Perain tha se viktima nuk kishte precedent të mëparshëm për dhunë. Ai vdiq po atë ditë në spitalin e Nancyt.
Top Channel