Ankandi, energjia u ble me 255 euro/ Çmimi është 5 herë më shumë se një vit më parë

12/10/2021 00:52

OSHEE, ka dalë sërish në tregun ndërkombëtar për të blerë energji, ndërsa kriza energjetike në botë vazhdon. Në ankandin e zhvilluar të datës 11 tetor, kompania ka siguruar vetëm gjysmën e energjisë elektrike që kishte nevojë.

Nga sasia e kërkuar prej 44,400 MWh, kompania siguroi vetëm 24 mijë MWh me çmimin mesatar 258 euro, duke shpenzuar një total prej 6.4 milionë euro.
Ky është çmimi më i lartë që Shqipëria ka blerë ndonjëherë energji dhe është pesëfish më i shtrenjtë se e njëjta periudhë vitin e kaluar.

Ankandi u zhvilluar në dy orare paradite dhe pasdite, por në të dyja rastet kompania dështoi të sigurojë energjinë e kërkuar për shkak të mungesës në treg dhe çmimeve mjaft të larta në bursa. Kompania ka njoftuar se do të zhvillojë edhe një tjetër ankand nesër, për të siguruar energjinë që do përdoret në datat 14 – 17 tetor.

Deri në muajin qershor furnizimi me energji është mbuluar nga prodhimi vendas, e më pas është dashur që autoritetet t’i drejtohen importit të energjisë. Kështu, prej qershorit e deri në ankandin e fundit të 11 tetorit janë shpenzuar në total 104.5 milionë euro për blerjen e energjisë.
Gjatë gjithë 2020-ës, totali i energjisë së blerë nga OSHEE arrinte në vlerën 118 milionë euro, ndërsa duket se kjo shumë mund të tejkalohet këtë vit që në muajin nëntor.

Qeveria për të mbuluar humbjet e OSHEE për këtë vit i ka akorduar 200 milionë euro shtesë nga buxheti për të siguruar furnizim të pandërprerë. Ndërkohë me vendim të Këshillit të Ministrave kompanive publike në sektorin e energjisë i është ndaluar të bëjnë investime në rrjet. Të gjithë paratë e arkëtuara prej tyre do të shkojnë për të blerë energjinë.

Top Channel