U kap duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme, procedohet penalisht 40-vjeçari

11/10/2021 13:38

Një 40-vjeçar është proceduar penalisht nga policia e Durrësit sepse u kap duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Ai u ndalua në aksin Rrugor Manzë-Shkallë teksa drejtonte mjetin tip “Benz”. “Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i mjetit, shtetasi G. T., 40 vjeç, po transportonte lëndë drusore të prera në mënyrë të paligjshme.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Stacionin Policor Manzë kanë proceduar penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasin G. T., 40 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Durrës”, njofton policia.

Materialet në ngarkim të shtetasit G. T. janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Top Channel