Tiranë/ U kap me emigrantë të paligjshëm dhe kokainë në makinë, arrestohet 17-vjeçari dhe bashkëpunëtorja. Shpallet në kërkim dhe një tjetër

11/10/2021 12:59

Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohen për transportin e emigrantëve të paligjshëm. Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre, i identifikuar si A. Sh., 23 vjeç.

17-vjeçari u kap në rrugën “Allaman Dervsihi” me një mjet që e drejtonte pa leje drejtimi, brenda të cilit kishte emigrantë të paligjshëm që iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Ndërsa një 19-vjeçare dyshohet se siguronte lidhjen midis të arrestuarit, të shpallurit në kërkim dhe emigrantëve.

“Në vijim të punës për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

G.M.,17 vjeç dhe G. B., 19 vjeçe. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., 23 vjeç”, njoftoi policia.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të mjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel