Moska e konsideron të papranueshme deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama për bashkimin e vendit me Kosovën, e pohuar kjo nga zëdhënësja e Ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova.
Zakharova u shpreh me tone të forta kundër pohimeve të Ramës, duke kujtuar se promovimi i planeve të krijimit të” Shqipërisë së Madhe “bie ndesh sipas saj me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB –së, dhe minon stabilitetin në rajon. Agjencia ruse e lajmeve Tass citon Zakharovën të theksojë se Moska gjen veçanërisht të çuditshëm faktin se shkelja e një dokumenti që është thelbësor për zgjidhjen e Kosovës “deklarohet si qëllimi kryesor në karrierën politike të udhëheqësit në një nga vendet në rajonin e Ballkanit”.
“Raste të tilla të dëmshme absolutisht nuk i përshtaten kontekstit të përpjekjeve të bashkëpunimit mes Beogradit e Tiranës për krijimin e një tregu të përbashkët, të ndërmarrë prej tyre në kontekstin e nismës rajonale të Ballkanit të Hapur, së cilës i është bashkuar dhe Shkupi”, ishte komenti i zëdhënëses. “Po presim me padurim një përgjigje të përshtatshme të mbikëqyrësve perëndimorë të projektit të” ndërtimit të kombit “të Kosovës ndaj këtij provokimi. Habitemi që nuk reagojnë ndaj thirrjeve të tilla minuese, ndërkohë që nga ana tjetër kritikojnë Beogradin në lidhje me konceptin e tij humanitar të “botës serbe” , i justifikuar dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, deklaroi Zakharova, e cila në fjalën e saj, teksa reagonte ashpër ndaj idesë së bashkimit të Kosovës si destabilizuese, mbështet nga ana tjetër mes rreshtash idenë e një Serbie të madhe. Reagimi i Moskës erdhi pasi kryeministri Rama pohoi në një intervistë televizive u shpreh se bashkimi Shqipëri-Kosovë mbetet një aspiratë e tij.
Top Channel