Rritja e çmimeve/ Basha: Drejtësia të mos zdërhallet në tapetet e kuq në Tiranë, por të bëjë detyrat para shqiptarëve

11/10/2021 14:18

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të hënën është ndalur edhe njëherë tjetër tek kriza energjetike, duke deklaruar se kemi të bëjmë me një krizë korrupsioni.

Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes me grupin parlamentar të PD-së, Basha tha se rritja e çmimeve ka detyruar qytetarët shqiptarë të marrin ushqime me listë.

Ai tha se qytetarët dalin nga dyqani me gjysmë buke, dy karrota dhe dy qepë.

“Nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht tek drejtuesit famëkeq nga Çela i Durrësit e të tjerët duhet të ishin të paktën të pandehur. Ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen tapeteve të kuq të vanitetit fundjavor në Tiranë dhe të bëjnë detyrat e tyre para shqiptarëve, nuk mund të rrimë duarkryq ndaj do të vazhdojë siç ka nisur me një ofensivë që do ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare”, tha kryedemokrati.

Basha tha se kjo krizë korrupsioni po përkthehet në një rritje të tmerrshme të çmimeve të gjithanshme.

Duke iu drejtuar mediave që t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe qytetarëve shqiptarë, Basha tha se do të fiksohen pamje ku qytetarët do blejnë me listë, si asnjëherë më parë në 30 vite.

Ky problem nuk lindi sot. Do vëreni që blejnë gjysmë buke, dy karrota, dy qepë. Do vini re se çmimet kanë kapërcyer jo thjesht në energji, por në gjithçka”, deklaroi ai.

Top Channel