Rama i shqetësuar për lajmet e rreme/ Kryeministri mendon se vetërregullimi i gazetarëve nuk mjafton

11/10/2021 12:06

Kryeministri Rama i tha përfaqësuesve të OSBE që janë mbledhur në Tiranë për të folur në lidhje me lirinë e medias, se vetërregullimi i medias nuk mjafton. Këtë deklaratë ai e bëri në kontekst të shqetësimin për përhapjen në internet të lajmeve të rreme

OSBE organizoi në Tiranë Konferencën Vjetore për Median në Evropën Juglindore, nga ku kryeministri Edi Rama foli me doza të larta shqetësimi për lajmet e rreme nëpër portale të cilat sipas tij po minojnë çdo ditë lirinë e medias.

Rama: Nuk jam saktësisht njeriu i duhur për tu ftuar për shkak të opinioneve të mia që ndryshojnë, jo për lirinë e medias, por mënyrën sesi në emër të kësaj lirie shumë gjëra shkojnë kundër këtij koncepti. I referohem përhapjes në internet të lajmeve të rreme, të sjelljeve që priren të jenë kundër lirisë së njerëzve të tjerë dhe kundër të drejtave të njerëzve të tjerë, kundër logjikës, kur vjen fjala për gazetarinë. Të vërtetat dhe gënjeshtrat janë bërë bashkëjetuese, e bëjnë shumë të vështirë dallimin mes tyre. Nuk mendoj se mënyra më e mirë është të mbash frikën, duhet të bëjmë durim me këto sasi gënjeshtrash, akuzash dhe shantazhesh që janë kthyer në rrezik. Duhet të reflektojmë. Nuk jam optimist me atë që shikoj sepse televizionet dhe gazeta duhet të rregullohen. Unë dëgjoj në mënyrë të qartë dhe të fortë lidhur me vetë-rregullimin por nuk jam i sigurt nëse kjo është përgjigja. Shpejtësia është përtej imagjinatës, kur vjen fjala për vëllimin që duhet përpunuar për të parandaluar këtë përhapje apo idenë për të klikuar.

Duhen vite, tha kryeministri Edi Rama, që gjykata ta përfundojë çështjen për shpifje por dëmi është bërë, kur mendon se kapaciteti për këto gënjeshtra është më i madh se e vërteta e shndërrohet në një makth të mirëfilltë.

Kujtojmë se qeveria në mandatin e saj të dytë nisi një projekt të quajtur anti shpifja që hasi shumë kundërshtime dhe për shkak të tyre projekti është lënë në heshtje. Edhe OSBE shprehu shqetësimin për projektin qeveritar te anti shpifjes, i cili është shqyrtuar edhe nga komisioni i Venecias.

Top Channel