Dhjetëra qytetarë dhe Shoqëria Civile kanë protestuar këtë pasdite për rreth një orë para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.

As shiu nuk i ka ndaluar qytetarët që të kërkojnë të drejtat e tyre në lidhje me abuzimin e ndodhur ditët e fundit, me rritjen e çmimeve të produkteve jetësore për çdo familje.

Ata sërish kanë bërë fajtor qeverinë për rritjen e çmimeve të bukës dhe produkteve të tjera.

Disa prej tyre janë shprehur se rrogat janë të ulëta, kurse çmimet vetëm rriten, duke sjellë probleme me përballimin e jetesës.

“Për shkak të rritjes së çmimeve, çdo muaj djali im s’do të ketë një libër të ri, ato lekë do të shkojnë për miell. për oriz për qumësht, çdo muaj, do mungojë kujdesi shëndetësor, ulni taksat”, tha një qytetar.

Ndërsa, një i moshuar e ka quajtur kryekriminel kryeministrin Edi Rama.

“Mafia e Edi Ramës, krye hajduti, kryekrimineli, armiku i demokracisë, ai na pushtoi vendin me para të pista, me drogë pa masë, vrau, duke i futur në burgje për dy gramë drogë. Ky është Edi Rama, njeriu më i poshtër, më mafiozi i popullit shqiptar”, tha i moshuari.

Kjo është protesta e dytë e mbajtur në Tiranë kundër rritjes së çmimeve dhe energjisë elektrike.

Është e paqartë nëse do të ketë protestë nesër apo të hënën, pasi në megafon u dhanë informacione të ndryshme. Një qytetar tha se protesta e radhës do të jetë të hënën e ardhshme për shkak të shiut, ndërsa aktivisti Ervin Goci u shpreh se do të vijojë në mënyrë intensive.

 

Top Channel