Aktori i humorit, Florjan Binaj të hënën është shprehur se artistët duhet t’i bashkohen protestës së rritjes së çmimeve para Kryeministrisë, duke ironizuar se nuk do u bien ndjekësit nëse ata do merrnin pjesë.

“Mos rrini ta shihni protestën nga Instagrami, bravo të rinjve dhe të rejave që janë këtu. U bëj thirrje të gjithëve që të vini të protestoni, u bëj thirrje artistëve se nuk ju bien ndjekësit në Instagram. Të gjithë e duam vendin si Evropa, por çmimet dhe taksat s’i kemi si Evropa. Hajde mblidhemi ta bëjmë, si Evropa. Mos ecni me mendimin ‘Shyqyr na dhjeu zogu të na ecë mbarë’’, tha aktori.

Kjo është protesta e dytë e mbajtur në Tiranë kundër rritjes së çmimeve dhe energjisë elektrike.

Është e paqartë nëse do të ketë protestë të martën, pasi në megafon u dhanë informacione të ndryshme. Një qytetar tha se protesta e radhës do të jetë të hënën e ardhshme për shkak të shiut, ndërsa aktivisti Ervin Goci u shpreh se do të vijojë në mënyrë intensive.

Qindra qytetarë u mboldhën gati një javë më parë para Kryeministrisë, në një protestë që zgjati rreth një orë, si një kundërpërgjigje ndaj rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në vend.

Ata kërkuan ndërhyrjen e qeverisë dhe paralajmëruan përshkallëzim të protestave në rast se nuk do të ketë reagim.

Një ditë më pas, policia nisi hetimet për 4 persona të cilët kishin organizuar protestën për rritjen e çmimeve dhe shërbimeve në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA