“OSHEE ka zhvilluar sot një ankand të ri për blerjen e energjisë elektrike për konsum. Përmes kësaj procedure OSHEE do të sigurojë 44 400MWh energji për periudhën nga 13 deri më 17 tetor.”

Procedura është zhvilluar në transparencë në platformën online në tre faza, ku në fazën e parë u listuan 10 kompani dhe çmimi i ofruar arrinte deri në 255 euro/MWh, teksa në fazën e fundit do të bëhet edhe listimi automatik në bazë të çmimit më të ulët për blerjen e kësaj sasie energjie.

Ankandi ishte parashikuar të zhvillohej ditën e premte, por si rrjedhojë e situatës hidrike dhe reshjeve OSHEE e çeli procedurën këtë të hënë, ndërsa datat 11 dhe 12 tetor do të mbulohen me energji nga KESH.

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) sqaron se për plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar është duke zhvilluar një tjetër procedure, e cila ka nisur në orën 16:00 dhe përfundon në ora 19:00.

Për mediat, administratorja e kësaj kompanie, Erina Rexhepi sqaroi procedurën që ndiqet për blerjen e energjisë elektrike. Një procedurë kjo e cila realizohet bazuar në Rregulloren e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë me Vendimin Nr. 103, datë 23.06.2016.

Rexhepi u shpreh se është platforma IT online e cila bën automatikisht vlerësimin e ofertave mbi kriterin e çmimit më të ulët dhe plotësimit të sasisë së kërkuar për tu blerë. Me qëllim rritjen e sasive të ofruara dhe mundësisë së uljes së çmimit mund të realizohen faza optimizimi.

Informacioni do të përditësohet në vijim për sasitë dhe çmimin final të blerjes së energjisë elektrike.

Rritja e fortë në bursa bëri që OSHEE në ankandin e fundit të blinte energjinë me një çmim mesatar prej 233 euro/MWh, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Por, duket se çmimet në bursa kanë parë një rënie të lehtë ditët e fundit, si në atë hungareze ku çmimi i energjisë u ul në 219.5 euro MWh këtë të hënë.

Deri në muajin qershor furnizimi me energji është mbuluar nga prodhimi vendas, e më pas është dashur që autoritetet t’i drejtohen importit të energjisë ku nga 1 qershori e deri më 1 tetor,  kur u zhvillua edhe ankandi i fundit janë shpenzuar në total 99.6 milionë euro për blerjen e energjisë.

Në 2020-ën, kjo shifër arrinte në 118 milionë euro për gjithë sasinë e energjisë së blerë në import për mbulimin e nevojave.

Top Channel